Operacioni i madh/ Erdogan flet për telefonatën me Trump: Do presim pak, por …

Mos i humb

Turqia do të presë për operacionin antiterrorist në lindje të lumit Eufratit në veri të Sirisë, tha presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan.

“Biseda telefonike që zhvilluam me presidentin amerikan Donald Trump, si dhe kontaktet e njësive tona diplomatike dhe të sigurisë, si dhe deklaratat e bëra nga pala amerikane, na bënë të presim për një kohë”, tha Erdogan në një ceremoni për ndarjen e çmimeve në Stamboll.

“Sigurisht, ky nuk është një proces i pakufizuar i pritjes”, shtoi presidenti turk.

Komentet e Erdogan erdhën pasi Trump të mërkurën urdhëroi forcat amerikane të tërhiqen nga Siria, duke thënë se organizata terroriste DEASH është mposhtur.

Presidenti Erdogan riafirmoi qëndrimin se Turqia nuk ka synim terrotorial në Siri, duke shtuar se “megjithatë, qëndrimi ynë ndaj sulmeve terroriste që mund të vijnë nga Siria është i qartë”.

Një mision i mundshëm në lindje të Eufratit, të cilin Qeveria e Turqisë e ka sinjalizuar prej muajsh, do të ndodhte pas dy operacioneve të suksesshme të Turqisë në Siri, operacionit “Mburoja e Eufratit” dhe atij “Dega e Ullirit”, të cilat kishin për qëllim eliminimin e pranisë së organizatës terroriste YPG/PKK dhe terroristëve të DEASH-it pranë kufijve të Turqisë.

“Siguria rajonale është jetike për ne. Hapat që kemi ndërmarrë në rajon së bashku me Rusinë dhe Iranin synojnë të garantojnë sigurinë rajonale”, tha Erdogan.

Ai theksoi se Turqia ka qenë e detyruar të merrte rolin e paqeruajtësit në Siri.

“Përse arabët, kurdët, turkmenët thonë të gjithë ‘të vijë Turqia?‘ Sepse kanë besim dhe i besojnë Turqisë”, tha ndër të tjera presidenti turk.

Erdogan gjithashtu deklaroi se Turqia do të vazhdojë veprimtarinë e saj në muajt e ardhshëm për të larguar elementet e PKK/PYD-së dhe DEASH-it nga Siria.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega siriane e organizatës.

Përkundër kundërshtimeve të Turqisë, SHBA ka punuar me PKK/YPG-në, duke i quajtur ata “aleatë” në luftën kundër DEASH-it dhe duke e shpërfillur statusin e tyre si terroristë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit