OSBE/ODHIR nuk guxon t’i vendosë një emër “30 qershorit”

Mos i humb

Zgjedhje apo votime, do njihen apo nuk do njihen nga ndërkombëtarët, ishte debati që shoqëroi procesin e 30 qershorit, në të cilin PS është drejt fitores në të 61 bashkitë e vendit, në 31 nga të cilat ishte e vetme në këtë proces. Emrin duket se nuk guxoi t’ia vendosë as misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, edhe pse u pyetën disa herë drejtpërdrejtë nga gazetarët e pranishëm në konferencë, gjetën shpëtim me raportin përfundimtar, për të cilin thanë se do të bëhet publik pas dy muajsh.

Në 60 minuta konferencë, e shumë pritur nga mediat, palët politike por edhe opinioni publik, shefja e misionit të OSBE/ ODIHR, Audrey Glover, edhe pse pohoi presionin e zgjedhësve në proces, mungesën e garës për zgjedhësit, madje kritikoi edhe vendimet e KQZ për të cilat tha shpesh herë, ishin të orientuara politikisht dhe jo transparente, sërish nuk mundi të thotë fjalën e fundit për 30 qershorin.

Përgjigjja për pyetjen e ngritur prej vetë saj, “Për kë bëhen zgjedhjet, për politikanët apo për votuesit?” për një moment mbajti frymën e të gjithëve, por përgjigja ishte një leksion mbi situatën ideale që duhet t’i paraprijë procesit, edhe pse në fakt panorama e paraqitur prej saj, në Shqipëri duket e largët.

Pasi lexoi gjetjet paraprake të vëzhguesve, edhe pse përmendi disa herë fjalën zgjedhje, për Glover erdhën ‘në ndihmë’ gazetarët e pranishëm, të cilët me pyetjet e drejtpërdrejta kërkuan të rrëmbenin prej saj nëse këto zgjedhje i arritën apo jo standardet. Por shefja e misionit të OSBE/ODIHR iu përgjigj duke thënë se janë ende duke mbledhur informacione nga vëzhguesit afatgjatë e afatshkurtër. “Ende nuk e kemi tablonë e plotë për të gjithë procesin zgjedhor dhe deri sa t’i marrim nuk mund të themi dot nëse këto zgjedhje i përmbushën angazhimet e OSBE”, u shpreh Glover.

Ergys Gjencaj, gazetar i News24 i solli në vëmendje znj. Glover, edhe tog fjalëshin ‘një hap përpara’ që shoqëron zakonisht raportin e OSBE/ODIHR në të gjitha proceset zgjedhore, ndërsa kërkoi prej saj se cili do të ishte tog fjalëshi i duhur që do i shkonte për shtat këtij procesi zgjedhor, por Glover tha se ende duhet të presim edhe për këtë, duke ritheksuar sërish raportin përfundimtar të pas dy muajve.

Me gjithë këmbënguljen e gazetarëve, shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për procesin e votimit të 30 qershorit Audrey Glover nuk ka mundur t’iu thotë shqiptarëve a ishin të vlefshme këto zgjedhje. Gazetari i Zërit të Amerikës, Iliri Ikonomi e riformuloi më ndryshe pyetjen duke kërkuar nga OSBE/ODIHR të thotë nëse këto zgjedhje ishin të lira, demokratike, të ndershme e të qeta.

Por edhe ndaj tij, pas një përgjigjeje si me lojë fjalësh, Glover tha se nuk përdoret më kjo frazë, duke gjetur ‘shpëtim’ me shtesën, se në raportin përfundimtar do jenë të identifikuara fushat që kanë nevojë për punë.

Megjithatë e dërguara e OSBE arriti të thotë se ‘ndoshta shumica e rekomandimeve ende nuk janë zbatuar’ duke iu referuar të gjitha proceseve zgjedhore në vend pas rënies së diktaturës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit