Osmani: Ka ambient pozitiv për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Mos i humb

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot ka mbajtur takim pune me përfaqësuesit e grupit punues ndër-sektorial për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Pas takimit, Osmani tha se ka një ambient shumë pozitiv për zbatimin e ligjit, duke theksuar se ka vullnet “politik dhe institucional”. Ai sqaroi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka formuar grupin koordinues ndër-sektorial për Ligjin për përdorimin e gjuhëve të cilin e udhëheq sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Dragi Rashkovski.

Duke folur për Agjencinë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Osmani tha se brenda dy muajve është emëruar drejtori, është përcaktuar objekti për funksionim, si dhe punëtorët e parë që do të transferohen nga Sekretariati i Qeverisë.

“Të mos harrojmë se kemi periudhë parapërgatitore prej gjashtë muajve për të krijuar kapacitete brenda për implementimin e ligjit, por ajo që është bërë në dy muajt e parë është vërtetë për t’u përgëzuar”, tha Osmani.

Osmani rikujtoi se institucionet po përgatisin ligjin për inspektoratin për zbatimin e ligjit, i cili “do të jetë mekanizmi më i fuqishëm për të ndjekur implementimin e dispozitave ligjore”.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski, tha se zbatimi i të drejtave të bashkësive etnike që nuk janë shumicë në Maqedoni është pranuar me shumë pozitivitet nga të gjithë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ndihmon institucionet, si me rekomandime, ashtu edhe në aspektin teknik. Ndihma më e madhe gjithsesi që duhet t’i takojë Agjencisë për zbatimin e ligjit të gjuhëve për shkak se ky është një institucion i ri që tani po formohet”, tha Rashkovski.

Ai gjithashtu theksoi se është shumë e rëndësishme që fillimi i zbatimit të ligjit të demonstrojë që askush nuk do të humbë asgjë nga Ligji për përdorimin e gjuhëve.

Drejtori i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela, përshëndeti gatishmërinë e institucioneve tjera për të ndihmuar në funksionalizimin e plotë të agjencisë që e udhëheq.

Sela tha se pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, do të shpallen konkurse për ta kompletuar ekipin, ndërsa shtoi se janë në fazën finale për ta përpiluar rregulloren dhe sistematizimin. “Na pret një punë e madhe, një detyrë e madhe. Ka vullnet, qoftë politik ashtu edhe njerëzor. Po ashtu informova edhe për punën e grupit ndër-sektorial”, tha Sela.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në janar të vitit të kaluar miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me të cilin parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Për zbatimin e ligjit janë ndarë mjete nga buxheti i Maqedonisë lidhur me themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhëve si dhe formimin e inspektoratit për përdorimin e gjuhëve. Ligji gjithashtu parasheh edhe masa ndëshkuese në rast të moszbatimit të tij.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit