Osmani: Një dorë e fshehur dëshiron të shkatërrojë procesin e ndryshimeve kushtetuese

Mos i humb

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, para takimit të Komitetit punues për integrimin evropian ka deklaruar se “ka një ndjenjë se në procesin e ndryshimeve kushtetuese ka një dorë të fshehur që dëshiron ta shkatërrojë”.

Në pyetjen e gazetarëve për t’i komentuar kërkesat e kreut të njërit nga krahët e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe Aleancës për Shqiptarët në lidhje me procesin e ndryshimeve kushtetuese, Osmani theksoi se amendamentet mund të jenë më mirë dhe se edhe vet ai mund të përgatit amendamente më të mira dhe më të rëndësishme.

“Kam një ndjenjë se ka një dorë të fshehur në proces, që dëshiron ta shkatërrojë këtë proces. Nuk do të doja që partitë politike shqiptare, për shkak të naivitetit apo mos përballimit në këto procese të vështira politike, të perceptohen si pjesë të asaj dore të fshehur për shkatërrimin e procesit”, deklaroi Osmani.

Zv/kryeministri Osmani po ashtu kujtoi se tërë ky proces i ndryshimeve kushtetuese është produkt i një kompromisi shumë delikat dhe të vështirë të shumë palëve në proces, ku është përfshirë edhe komuniteti ndërkombëtar me të gjitha potencialet e saj.

Ai vuri në dukje se shërbimi më i keq që mund t’u bëhet shqiptarëve në këtë moment është të jepet mesazhi se ata pengojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“Nuk ka interes më të rëndësishëm etnik për shqiptarët sesa anëtarësimi në NATO. Ai është interesi më thelbësor i shqiptarëve mbi çdo interes tjetër etnik, sepse ai garanton se shqiptarët do të jenë pjesë e vlerave të familjes së Evropës Perëndimore, të cilat kanë tendencë të jetë me breza e breza përpara”, tha Osmani.

Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, të nënshkruar në qershor të këtij viti nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i të cilave është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Kujtojmë se me shumicën e dy të tretave, Kuvendi i Maqedonisë miratoi propozimin për qasje në ndryshimet kushtetuese apo fazën e parë të zbatimit të marrëveshjes me Greqinë.

Në fazën e dytë me shumicë të thjeshtë u votuan propozim amendamentet për ndryshime kushtetuese të cilat qeveria i hapi për debat publik, ndërsa faza e tretë dhe e fundit për zbatimin e marrëveshjes fillon nesër, kur është caktuar seancë në Kuvend për miratimin e ndryshimeve kushteteuese. Që të kalojë teksti i amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Qeveria, duhet të mbështeten nga së paku dy të tretat e deputetëve ose 80 deputetë të votojnë “për”.

Pasi të përfundojë procesi i ndryshimeve kushtetuese përfundon procedura në Maqedoni ndërsa më pas Greqia me shumicë votash të deputetëve duhet ta ratifikojë marrëveshjen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit