Osmani: Presim datë për hapje të negociatave me BE-në në vitin 2018

Mos i humb

Zv/kryeministri i Maqedonisë për Çështje Europiane, Bujar Osmani, pret që Strategjia e Komisionit Evropian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të publikohet ditën e nesërme, të përmbajë edhe aspektin për fillimin e negociatave këtë vit për Republikën e Maqedonisë, bashkë me Shqipërinë, për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE).

Komentet e tij, Osmani i bëri para mëngjesit të punës me ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Republikën e Maqedonisë, atë të Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës së Kosovës, Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Serbisë.

Ai tha se publikimi i strategjisë, do të jetë një moment historik, sepse sipas tij do të betonojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor pas një periudhe të anashkalimit të këtij rajoni. Osmani tha se e kaluara flet se anashkalimi i rajonit ka pasur pasoja të mëdha mbi këtë rajon, të cilat janë bartur edhe në kontinentin e Europës.

“Është ky një rifokusim i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, por është edhe një qasje ndryshe sepse po jepet një kalendar me afate të caktuara kohore të cilat shtetet duhet ti përmbushin, që paraqet një shtytje për shoqëritë që të transformohen. Integrimi në BE nuk është vetëm teknik, sepse është edhe europianizim i shoqërive”, tha Osmani.

Ai tha se viti 2025 është viti kur do të anëtarësohen vendet e para të Ballkanit Perëndimor, për të shtuar se Maqedonia pret fillimin e negociatave në mënyrë që të kap afatin 20-25, më saktësisht të kap Serbinë dhe Malin e Zi që tashmë kanë filluar negociatat për anëtarësim, shkruan aa. Siç informoi Osmani, Strategjia e Komisionit Europian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk përcakton datë konkrete për fillim të negociatave, gjë e cila sipas tij varet do të bëhet vetëm pas mbylljes së çështjeve politike që ka Maqedonia, ku spikat çështja e emrit me Greqinë.

“Data kryesisht do të varet nga ajo, nëse do të mbyllim çështjet e hapura politike, data kryesisht do të varet nga mbyllja e çështjes së emrit. Për Maqedoninë është me rëndësi t’i jepet mundësia që pas mbylljes së çështjeve politike të çel bisedimet, si dhe mundësia të kap afatin 2025 nëse i plotëson kushtet dhe kriteret”, sqaroi Osmani.

Në takimin e sotëm me Osmanin morën pjesë ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, i Kosovës, Ylber Hysa, ambasadorja e Bosnje dhe Hercegovinës, Lepa Babiç, ambasadorja e Serbisë, Dushanka Divjak Tomiq, dhe ambasadori i Malit të Zi, Predrag Mitroviç. Përveç strategjisë, në takim është biseduar edhe për ciklin e radhës së Raportit të Komisionit Europian për vendet aspirante për anëtarësim, progresin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe marrëdhëniet fqinjësore, si dhe për potencialet për bashkëpunim në kuadër të procesit të Berlinit./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit