OVL e UÇK-së mbledh afër gjysmë milioni euro nga anëtarësimi, por nuk kanë raport financiar

Mos i humb

 

15 euro në vit paguajnë 35 mijë anëtarë veteranë të UÇK-së, në Organizatën e Veteranëve të Luftës (OVL), anëtarë këta që dikur ishin 25 mijë.

Kjo organizatë për anëtarësi dhe merr çdo vit afër 500 mijë euro nga anëtarësimi i veteranëve, por nuk ka raporte financiare se ku shpenzohen këto para. Kurse, Shoqata e Invalidëve të luftës thotë se kanë dyshime, lidhur me shpenzimet e parave që ata paguajnë për anëtarësim.

Hysni Gucati, i cili që nga tetori i vitit 2016 është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së thotë në një intervistë për KosovaPress se nuk kanë ndonjë raport financiar për paratë e shpenzuara, por i ka emrat e të gjithë atyre që i ndihmuan.

“Është e vërtetë që te na, anëtarësia është 15 euro për një vit. Po i bien 1 euro e 20 cent për një muaj. Kështu që me atë anëtarësim mbijetojnë degët dhe  mbijeton organizata e veteranëve, që i mbron interesat e veteranëve…Prej fillimit prej vitit 2000 deri para një vit i e gjysmë, dy,  kanë qenë 24 ose 25 mijë veteranë që e kanë marrë kartelën. Tash numri është rrit. I kemi afër 35 mijë veteranë, që i kemi të anëtarësuar”, tha ai.

Nga paratë që marrin nga anëtarësimi, sipas tij mbijetojnë degët, qendra dhe një pjesë e tyre, përdorën si ndihmë për familjet e veteranëve të cilët kanë nevojë por thotë se nuk kanë ankesa nga veteranët, lidhur me shpenzimin e parave që marrin nga ta.

“Është shumë e vërtetë që kërkojnë vlerësim me dit se ku shkojnë anëtarësimi e sene. Ankesa nuk kemi pasur. Se ne familjet që janë post mortum veteranët që na kanë vdekur,  i kemi të liruar. Ata nuk paguajnë anëtarësi. Asnjë veteran që ka vdek deri me sot, kur llogarit një numër i madh që na ka vdekur, ato familje nuk paguajnë i kanë kartelat pa pare. Anëtarët e kryesive në nivel dege,  që janë ata janë të liruar dhe paret e tyre, ne mujm me i përmend emrat. Se iu ndihmojmë shokëve tonë shumë….Me këto pare që i marrim prej anëtarësimit, këto 5 muajt e fundit kemi ndarë mbi 9 mijë euro ndihma që i janë dhënë shokëve. Sidomos ne i kemi disa shokë dhe me sëmundje të kancerit… Ne mundohemi sado pak t’i gjendemi afër shokëve tonë. Sidomos shokët që na kanë vdekur. Çdo familje,  çdo veteran që ka vdek të paktën u jemi gjendur afër tyre në ndihmë. Kemi emra dhe mbiemra që nuk i përmendi tash”, tha ai.

Por thotë se do të vjen momenti, kur do t’i bëjnë publik, emrat e të gjithë veteranëve të cilëve u dolën në ndihmë.

“Ka shumë familje që i kemi ndihmu. I kemi me emra mbiemra. Ndoshta ndonjë ditë do të vjen momenti që duhet t’i qesim me pëlqimin e shokëve tonë, të atyre”, tha ai.

Ndërsa Xhevdet Qeriqi, nga Shoqata e Invalidëve të luftës thotë për KosovaPress se veteranët kanë dyshime, lidhur me shpenzimet e parave që ata paguajnë për anëtarësim.

“Po ka dyshime edhe prej veteranëve. Në komunikimet që kam me ta, ka dyshime që këto mjete nuk po shkojnë në vendin e duhur”, tha ai.

Sipas tij, veteranët ankohen dhe për shumën prej 15 euro që paguajnë është shumë e lartë, duke pasur parasysh gjendjen e tyre financiare.

“Është shumë e madhe. Sepse gjendja e tyre e shumë veteranëve është e vështirë. Mendoj që është shumë e madhe. Dhe në rast se jepen këto duhet të ndihmohen ata që kanë nevojë. Në rast se nuk ndihmohen ata veteranë që kanë nevojë, është tepër e madhe. ..Kam shumë kontakte me ta. Ankohen rreth shumës, është një shumë tepër e madhe për ta e papërballueshme. Sa i përket ndihmave janë shumë të vogla nga organizata e veteranëve…Tu e krahasu me ndihmën, është një pagesë shumë e madhe. Sepse është një numër shumë i madh i veteranëve, të cilët e kryejnë këtë pagesë dhe në bazë të asaj janë një shumë e  konsiderueshëm, e cila duhet medoemos me u bë një raport se ku kanë shku”, tha ai.   .

Qeriqi thotë se për anëtarësim në Organizatën e invalidëve të luftës, paguajnë 12 euro në vit dhe se ata çdo herë bëjnë raport, rreth shpenzimeve të bëra./Kosova post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit