“Pa SHBA-në, Arabia Saudite do të fillonte të flasë persisht brenda një jave”

Mos i humb

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Lindsey Graham, tha se nuk pajtohet me mendimin se reagimi i Washingtonit ndaj vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi do të dëmtonte interesat rajonale të vendit të tij dhe shtoi se pa SHBA-në, Arabia Saudite do të fillonte të fliste gjuhën perse brenda një jave.

Këto komente Graham i bëri në kanalin Fox News, ku tha se të gjithë senatorët që morën pjesë në seancën e drejtoreshës së CIA-s Gina Haspel në Senat në lidhje me Khashoggin, besojnë se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman është bashkëfajtor në vrasjen e gazetarit saudit.

“Ishte një nga brifingjet më të mira të cilat i kam parë në Senat deri më sot. Dy analistë na shpjeguan se princi Mohammed bin Salman e ka përcjellur Khashoggin. U tha se operacioni në fjalë ishte planifikuar në mënyrë të detajuar dhe se përgjegjësi për zhvillimin e operacionit ishte krahu i djathtë i princit të kurorës. Asnjë senator që dëgjoi brifingun nuk dyshon se Mohammed bin Salman është bashkëfajtor”, tha Graham.

Graham tha se Khashoggi nuk është disidenti i parë i vendosur në cak nga ana e princit të kurorës dhe se ka raste kur edhe disidentë të tjerë po ashtu janë kapur, rrëmbyer dhe janë kthyer në Arabinë Saudite.

Ai rikujtoi se kryeministri i Libanit, Saad Hariri, ishte ndaluar në Arabinë Saudite për një javë nga ana e Mohammed bin Salman.

I pyetur se çfarë do të bëhet në vijim në lidhje me këtë çështje, ai tha se fillimisht do të deklarojnë dhe do të nxjerrin në pah në senat se princi saudit është bashkëfajtor, ndërsa shtoi se si senator, ai nuk do të mbështesë mbështetjet me armë që vendi i tij i ofron Arabisë Saudite.

“Princi i kurorës Mohammed bin Salman është pothuajse si një top shkatërrimi. Unë nuk mendoj se ai ka mendje të shëndoshë. Cila mendje e shëndoshë e njeriut do të mendonte se mund të vrasë një person duke e mashtruar dhe sjellë në konsullatë dhe të shpëtonte pa dhënë llogari? Shqetësimi im është se armët që do t’ia shesim Arabisë Saudite nën udhëheqjen e këtij njeriu mund të kalojnë në duart e rusëve apo kinezëve”, deklaroi senatori amerikan.

Graham vuri në dukje se në Senat ka një konsensus lidhur me rishikimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite të udhëhequr nga princi i kurorës.

“Marrëdhënia jonë me Arabinë Saudite është strategjikisht e rëndësishme, por ne nuk do të paguajmë çmim për këtë”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me “mbështetjen e SHBA-së për Arabinë Saudite kundër Iranit”, Graham tha: “Do të flas haptazi. Po të mos jemi ne, Arabia Saudite për një javë fillon të flasë persisht. Po të mos i ndihmonim ne, ushtria e tyre do të ishte skajshmërisht e dobët. Ata plotësojnë vetëm 9 për qind të importeve amerikane të naftës. Ata kanë më shumë nevojë për ne sesa ne për ata”.

“Unë nuk pajtohem me idenë se SHBA duhet të mbahet me një regjim të egër për t’u mbrojtur nga Irani dhe të bashkëpunojë me një bandit si Mohammed bin Salman. Përkundrazi, nëse vazhdojmë të mbështetemi tek ai, do të humbasin aftësinë për ta udhëhequr rajonin”, shtoi senatori republikan Lindsey Graham.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit