“Pa Turqinë nuk mund ta luftojmë terrorizmin dhe fluksin e emigrantëve”

Mos i humb

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov thotë se marrëveshja me Turqinë për krizën me emigrimin po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se zbatimi i mirëkuptimit të ndërsjellë bazuar në fjalën e dhënë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka bërë që presioni i emigrimit drejt Bullgarisë të bie në zero.

Borisov para hapjes së Kishës së Shën Stefanit, e cila do të bëhet nesër në Stamboll (7 janar) pas një restaurimi shtatë vjeçar.

Duke rikujtuar se hapjen e kësaj kishe do ta bëjnë së bashku me presidentin e Turqisë Erdoğan, Borisov tha se e çmojnë lartë këtë gjest të Turqisë për financimin e riparimit të kishës. Ai thotë se është ndjerë shumë i gëzuar për interesimin e treguar nga Erdogan për restaurimin e një objekti kulturor i cili po zhdukej vetvetiu.

“Në këto ditë po krijohet një mundësi e mrekullueshme për banorët e Stambollit dhe turistët. Kjo tregon se në mes të dy shteteve muslimane dhe të krishterë mund të ketë miqësi, mirëkuptim të ndërsjellë dhe qëllime të mira. Më duket se kjo ngjarje është realizuar për shkak të dominimit të vullnetit të mirë reciprok dhe shpirtit të përbashkët në Ballkan, të cilën ne të gjithë po përpiqemi ta formojmë”, tha Borisov.

Kryeministri bullgar thotë se Turqia është fqinji më i madh i tyre dhe se për një mungesë në shtëpitë e tyre do të duhet që të shkojnë në këtë shtet. Borisov thekson se në takimin e tij me presidentin turk Erdoğan do të diskutojnë për çështje të shumta, si vendimi i SHBA-ve për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, lufta në Siri, çështja e Krimesë si dhe për projektet e energjisë.

– Pritjet nga kryesimi i Bullgarisë me Bashkimin Evropian

Borisov foli edhe për kryesimin e Bullgarisë me Bashkimin Europian (BE) që ka filluar nga 1 janari 2018. Përkundër asaj që deri në një të kaluar të afërt çështja e Ballkanit Perëndimor nuk ishte as në rend dite të Evropës, Borisov bëri të ditur se më 17 maj do të mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se si kryesuesi aktual i BE-së do të fokusohet në rajonin e Ballkanit. Duke folur për pritjet lidhur me Turqinë, Borisov thotë se:

“Në të vërtetë, kryesimi me BE-së nuk nënkupton menaxhimin e BE-së. Vendimet e mëdha në BE merren të paktën unanimisht. Por, unë e kujtoj edhe kohën kur presidenti Erdoğan ka ardhur në Strasburg. Edhe kryeministri i asaj kohe të Turqisë, Ahmet Davutoğlu vinte në Bruksel dhe ne e prisnim atë në mbledhjet e Këshillit Evropian. Me të vertetë si referendumi në Turqi, ashtu edhe zgjedhjet në shtete të shumta të Evropës si dhe kriza e emigrimit ka shkaktuar ardhjen në pushtet të partive të shumta nacionaliste në Evropë, si dhe rezultate të paparashikueshme të zgjedhjeve. Sipas meje marrëveshja me Turqinë për krizën me emigrimin po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Borisov.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet diplomatike me Turqinë duhet të zhvillohen në mënyrë të mirë, Borisov thotë se “Ne si BE dhe Bullgari nuk jemi vetëm fqinj me Turqinë. Turqia në të njëjtën kohë përbën krahun jugor të NATO-s, si shteti me ushtrinë më të madhe në mesin e BE-së. Sipas meje, ai që mban armën në dorë duhet të jetë (miku yt) më i afërt, më i besueshëm dhe më vetëmohues. Shkurtimisht, në vend se ta mbrojmë shpinën tonë nga Turqia, duhet t’i ripërmirësojmë marrëdhëniet e mira dhe diplomatike dhe t’i besojmë krahut tonë jugor në nivelin maksimal të mundshëm.”

– “Marrëdhëniet tona vazhdojnë në mënyrë të mrekullueshme”

Borisov po ashtu nënvizon rolin e Turqisë në ndalimin e migrimit të refugjatëve, ku pretendoi se shteti i tij nuk do të arrinte të qëndronte në këmbë po qe se emigrantët të cilët kanë hyrë në Greqi do të hynin në Bullgari.

“Zbatimi i mirëkuptimit të ndërsjellë bazuar në fjalën që ia kemi dhënë njëri-tjetrit me presidentin Erdogan, po funksionon në mënyrë të mrekullueshme. Presioni i emigrimit drejt nesh tani ka rënë në zero. Nëse do të ketë një kalim të tepërt ilegal, Turqia i rikthen emigrantët të cilët kanë kaluar nga ajo anë. Në pikat e kontrollit kufitar kemi një marrëdhënie të mrekullueshme me Turqinë. Policia kufitare dhe detarët tanë bashkëpunojnë shumë mirë me homologët e tyre turq. Pra, ky problem i madh ka gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme, jo vetëm për aspektin e Bullgarisë, por edhe për aspektin e gjithë Evropës”, thotë Borisov.

– Procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE

Borisov thotë se procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE, “është i lidhur me vendimet e vështira” që do të merren brenda Unionit dhe se ky anëtarësim nuk është i lidhur me një vendim të tij. Por, Borisov u shpreh se “Përderisa procesi i anëtarësimit është duke vazhduar, nënshkrimi i një marrëveshjeje të madhe me 5-6 pika, ku do të përfshihen edhe marrëveshjet doganore dhe trashëgimia kulturore, do të lehtësojë marrëdhëniet e punës, turizmin dhe transportin e mallrave”.

“Pa praninë e Turqisë ne nuk mund ta luftojmë terrorizmin dhe fluksin e emigrimit. Shërbimet e sigurisë bullgare po realizojnë një bashkëpunim shumë të mirë me shërbimet e sigurisë së Turqisë”, thotë ai.

– Dinamizëm të ri në marrëdhëniet dypalëshe

Në vijim Borisov tha se marrëdhëniet Bullgari-Turqi kanë arritur në një dinamizëm të ri dhe se shteti i tij është i hapur për iniciativat e fushës së biznesit turk.

– Praktikat e kuotave për refugjatët nga Polonia dhe Hungaria

Lidhur me pyetjen nëse mund të shkaktojë dallime të opinioneve të cilat mund të çojnë edhe në përçarje brenda BE-së qëndrimi kundërshtues i shteteve si Polonia dhe Hungaria për kuotat e detyrueshme për refugjatët, Borisov thotë se “dallimet në opinione mund të vlerësohen si një shprehje shumë e butë”.

“Në këtë aspekt po përjetohet plotësisht një krizë. Madje, jo vetëm Polonia dhe Hungaria, të cilat përmenden këtu, por ka edhe shtete tjera. Unë jam gjithmonë i lumtur që zgjidhja që kam ofruar, tanimë është pranuar. Duhet të mbrohen mirë kufijtë e jashtëm të BE-së. Marrëveshja me Turqinë duhet të vazhdojë në mënyrë funksionale. Emigrantët duhet të mbahen në qendrat e sigurimit të cilat do të vendosen jashtë territorit të BE-së, afër pikave të krizës”, tha kryeministri bullgar.

Ai tha se përderisa të ketë luftë do të vazhdojë edhe emigrimi. Borisov theksoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje paqësore në Siri.

– 15 korriku

Duke folur për 15 korrikun, tentativën për grusht shteti në Turqi, Borisov tha se ai është politikani i parë i cili ka shkuar pranë Erdoğan-it nga Evropa dhe se ka dhënë mbështetje për presidentin turk në këtë aspekt.

“Ajo tentativë për grusht shteti, në të vëretë nuk kishte për qëllim përmbysjen e Erdogan-it, por vrasjen e tij. Kur merrja kritika për mbështetjen që kam dhënë për presidentin Erdoğan, unë gjithmonë e jepja përgjigjen e njëjtë: Ne marrim për bazë të gjitha vlerat e demokracisë. Nëse vijmë te demokracia, nëse dëshirohet që t’i jepet një ‘shpirt’ këtij koncepti, demokracia i sheh si themelore dhe superiore zgjedhjet, votën dhe zërin e popullit. Marrja e pushtetit duke qëlluar objektivat civile me F16 dhe helikopterë ushtarakë nuk është metodë e pranueshme. Për këtë arsye unë e kam mbështetur presidentin Erdogan”, tha Borisov./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit