Pacolli thotë se mori përkrahje dhe shpresë njohje të reja nga vendet islamike

Mos i humb

Ministri i punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka mbajtur takime të shumta në ministerialin e Organizatës të Bashkëpunimit Islamik në Daka, Bangladesh. Ai u shpreh se mori vota pro anëtarësimit të shtetit në Interpol dhe konfirmime për njohje të reja.

Ministeriali i 45- të i Konferencës së vendeve islamike ishte një ditë pune intensive për delegacionin e Kosovës udhëhequr nga numri dy i Qeverisë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëvë të Jashtme (MOJ) përmes një njoftimi për media, në një aktivitet të Organizatës Ndërkombëtare, e dyta në botë për numrin e madh të vendeve pas OKB-së, ishin të pranishëm mbi 80 delegacione, duke përfshirë atyre me statusin e anëtarit të OBI-it, si dhe të tjerave me statusin e vëzhguesit.

Ministri i Jashtëm, Pacolli, thuhet të ketë patur rastin të takonte kryeministren e Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidentin e Bangladeshit, Abdul Hamid.

“Kosova, nëpërmjet këtyre takimeve mbajti hapur dyert e vendeve njohëse, loboi me këto vende për anëtarësimin e ardhshëm të saj në Interpol, ashtu si dhe pati takime shpresëdhënëse për njohje të reja”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Pacollit.

Me Ministrin e Jashtëm të Libisë, Mohamed Taha Siala, ministri Pacolli thuhet të ketë diskutuar për bashkëpunimin dypalësh.

Ndërsa me Ministrin e Jashtëm të Nigerit, Kalla Ankourao, ministri Pacolli thuhet të ketë folur sesi dy vendet mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, në Organizata Ndërkombëtare, etj. Ambasadori i Kosovës në Senegal është akredituar së afërmi dhe në Niger.

Takime të tjera Pacolli ka pasur edhe me homolgun e tij ministrin e Punëve të Jashtme të Afganistanit, Salah Rabbani, u fol për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në gjithë Organizatat Ndërkombëtare dhe Kosova shprehu dëshirën për të thelluar marrëdhëniet me Afganistanin, duke mbetur mbështetëse e përpjekjeve për stabilizim të këtij vendi.

Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maldiveve, Mohamed Hasim, vendi i të cilit kërkon ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB, u fol për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe. Me Maldivet Kosova ka një marrëdhënie të hershme.

Me Ministren e Jashtme të Kanadasë, Kristia Freeland, u shkëmbyen pikëpamjet për bashkëpunimin dypalësh, dhe z. Pacolli shprehu mbështetje për vizionin e Kanadasë shprehur prej saj, për ndalimin e tragjedisë së Rohingave.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, pati takim edhe me Ministrin e Jashtëm të Palestinës, Riyad al Maliki, me të cilin u ra dakord të thellohet bashkëpunimi dypalësh.

Duke shfrytëzuar një konferencë si kjo, shefi i diplomacisë kosovare u takua dhe me Ministrat e Jashtëm të Kazakistanit, Kairat Abdrakhmanov dhe të Azerbajxhanit Elmar Mammadyarov, me të cilët foli për zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, ashtu dhe për nxitjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe tregtarë mes Kosovës dhe këtyre vendeve.

Ministri Pacolli takoi edhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Gyajanws, Carl Barrington Greenidge, vend të cilit ju kërkua mbështetja e Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare dhe shkëmbimi i vizitave dypalëshe.

Me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel Aljubeir, njëherazi mik i tij, Pacolli pati rastin të konfirmonte marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Ai, e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen e gjatë për Kosovën dhe e ftoi atë për vizitë në Prishtinë. Në bisedë u theksua nevoja për të punuar më shumë së bashku në fushën e tregtisë, ekonomisë, etj.

Një takim “shumë të ngrohtë dhe të frytshëm”, Pacolli, thuhet të ketë patur edhe dhe me homologun e tij, zëvendëskryeministrin turk, Bekir Ozdag, me të cilin u theksua niveli i lartë i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme, mes të cilave anëtarësimi i Kosovës në Interpol.

Pacolli pati takim me homologun e tij të Bangladeshit, Mahmud Ali, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij.

Një takim tjetër të ngrohtë, ai zhvilloi dhe me homologun e tij nga Bregu i Fildishtë, Marcel Amon Tanoh, i cili është mik i mirë i Kosovës dhe vendi i tij e mbështet Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ministri Pacolli e ftoi atë për një vizitë në Kosovë.

Ministri Pacolli takoi edhe ministrin e Jashtëm të Senegalit, Sidiki Kaba, i cili e mbështet Kosovën për integrimin në Organizatat Ndërkombëtare. Ambasada e parë e Kosovës në Afrikë u hap në Senegal dhe dy vendet do të vazhdojnë ta forcojnë bashkëpunimin dypalësh./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit