Pacolli: Zyrtarët serbë duhet të marrin leje për vizita në Kosovë

Mos i humb

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë konferencës së përbashkët për media me homologen e tij austriake, ministren për Europë, Integrim dhe Çështje të Jashtme, Karin Kneissl, foli për çështjen e vizitës së ministrave serbë në Kosovë.

Ai theksoi se të gjitha personalitet politike serbe janë të detyruar të njoftojnë 72 orë më parë se kur do të realizohet vizita e tyre në Kosovë.

Lidhur me çështjen e vizitës së zyrtarëve serbë në Kosovë, përkatësisht të minisrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ministrit të Kulturës, Vladan Vukosavljeviç dhe shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, Pacolli deklaroi se duke u bazuar në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel çdo ardhje e personaliteteve politike serbe në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një informate paraprake dhe lejes e cila duhet të merret nga autoritetet e Kosovës.

“Ne kemi patur kërkesë për ardhjen e disa ministrave serbë në Kosovë. Sipas marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel çdo ardhje e personaliteteve politike në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një informate paraprake dhe lejes e cila duhet të merret nga qarqet e Kosovës. Është një çështje bilaterale që nuk e kemi imponuar ne por është diskutuar në Bruksel dhe është dakorduar. Ne veprojmë sipas kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Pacolli.

Ai potencoi se Kosova është e vendosur dhe e përkushtuar të ketë marrëdhënie fqinjësore dhe të mira me secilin nga shtetet e Ballkanit dhe shtoi se Kosova është duke punuar me intensitet shumë të lartë që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë.

Duke dhënë një shembull lidhur me refuzimin e vizitës së tij në Beograd për të marrë pjesë në një konferencë, Pacolli tha se kur ka ndodhur refuzimi ka patur një qasje shumë normale lidhur me këtë.

“Sipas marrëveshjes të gjitha personalitetet janë të detyruara t’i drejtohen Kosovës 72 orë para se të ndodhë vizita dhe Kosova ka të drejtën të lejojë ose nëse ka arsye të refuzojë hyrjen e tyre ashtu siç kanë bërë dhe bëjnë organet serbe”, tha ai.

Sa i përket vizitës së ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, Pacolli tha se ai nuk ka arsye që të vjen në Kosovë, të propagandojë dhe të nxisë urrejtje duke nënvizuar se Kosova nuk ka asnjë problem në mbrojtjen e shtetit duke iu referuar KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët kujdesen për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Ndërsa, për ministrin e Kulturës së Serbisë, Vukosavljeviç Pacolli tha se ai ka kërkuar leje që të hyjë në Kosovë nga pika kufitare në Jarinje dhe Kosova ka dërguar protokollin e saj për ta pritur por ai ka tentuar të hyjë në një pikë tjetër nga pika në Merdare me ç’rast i është refuzuar hyrja.

Duke potencuar edhe vizitën e shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, Pacolli po ashtu tha se deklaratat e tij kanë nxitur urrejtje dhe pakënaqësi tek popullata shqiptare dhe se ai nuk mund të hyjë në Kosovë kur të dojë pa patur lejen e autoriteteve kosovare dhe duhet t’i respektojë normat prandaj MPJ nuk ka mundur ta lejojë atë të hyjë në Kosovë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit