Pakistan, 17 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit

Mos i humb

Të paktën 17 njerëz kanë humbur jetën pasi një aeroplan i kompanisë ajrore Pakistan International Airlines (PIA) me 99 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u rrëzua në qytetin Karaçi, njoftuan zyrtarët dhe mediat lokale

Më herët, Autoriteti i Aviacionit Civil, organ shtetëror që rregullon udhëtimet ajrore, tha se në bord ishin 107 veta.

Fluturimi PK-8303, që udhëtonte nga qyteti verilindor Lahore, u rrëzua pranë Aeroportit Ndërkombëtar Jinnah ndërsa ishte duke ateruar, konfirmoi Autoriteti i Aviacionit Civil në një deklaratë.

Dr. Seemi Jamali, drejtori ekzekutiv i Qendrës Mjekësore Pasuniversitare Jinnah, tha për AA se në spital janë sjellë 17 trupa.

Ekipet e shpëtimit në këtë vend u thanë gazetarëve se të paktën 20 trupa janë tërhequr nga rrënojat, ndërsa dhjetëra janë ende të bllokuar.

Sipas Departamentit të Shëndetësisë, 15 persona janë plagosur gjithashtu, kryesisht banorë të zonës që pësoi dëmtime pasi avioni ra mbi shtëpi.

Një zyrtar që kërkoi të mbetet anonim, për AA tha se kanë frikë së numri i të vdekurve mund të jetë shumë i lartë.

Deri më tani, Zafar Masood, bankieri më i madh i vendit, është personi i vetëm i konfirmuar që i mbijetoi rrëzimit. Raportohet nga mjekët se gjendja e Masood është qëndrueshme.

Rrëzimi ndodhi disa ditë pas rifillimit të fluturimeve vendore pas heqjes së masave bllokuese që ishin në fuqi prej një muaji me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Abdullah Khan, zëdhënësi i PIA-s, u tha gazetarëve se do të ishte herët të komentojë shkaqet e mundshme të rrëzimit.

“Avioni nuk ishte i vjetër dhe ishte i mirëmbajtur”, tha ai.

Thirrja për ndihmë

Kontakti i fundit midis pilotit dhe kullës së kontrollit të transmetuar në Geo TV sugjeroi se përplasja ishte rezultat i një defekti në motor.

“Kam humbur motorin”, u dëgjua piloti Sajjad Gul duke i thënë kullës së kontrollit në një mesazh të ndihmës.

Fjala e fundit e Gul ishte “në rregull”, në përgjigje të direktivës së kullës së kontrollit se dy pistat janë të hapura për një ulje emergjente.

Pamjet e transmetuara në transmetuesin lokal Geo News treguan retë e tymit që dilnin lart nga mbetjet e djegura të aeroplanit të aksidentuar. Disa automjete gjithashtu u përfshinë nga zjarri.

Avioni ra në një zonë të banuar duke dëmtuar disa shtëpi dhe automjete.

“Avioni u rrëzua aq shpejt. Nuk mund ta kuptoja në momentin e parë se çfarë po ndodhte”, tha dëshmitari okular Rana Jawed para gazetarëve.

Avioni, tha ai, ishte përfshirë nga zjarri para se të binte poshtë pas një “shpërthimi të madh”.

Ambulancat dhe automjetet e zjarrfikësve u panë duke nxituar për në vendin e ngjarjes, ku turmat e banorëve të zonës ishin mbledhur tashmë.

Ushtria dhe personeli policor arritën gjithashtu në vend ngjarje për të ndihmuar operacionin e shpëtimit pasi rrugët e ngushta pengonin lëvizjen e automjeteve të shpëtimit.

Ndërkohë, presidenti Arif Alvi, kryeministri Imran Khan dhe shefi i ushtrisë Gjeneral Qamar Javed Bajwa shprehën pikëllim për humbjen e jetëve në përplasje.

“I tronditur dhe i trishtuar nga përplasja e PIA-s. Jam në kontakt me Drejtorin e Përgjithshëm të PIA-s Arshad Malik, i cili është nisur për në Karaçi, dhe me ekipet e shpëtimit dhe ndihmës në terren, pasi kjo është prioritet tani. Do të niset një hetim i menjëhershëm. Lutjet dhe ngushëllimet shkojnë për familjet e të ndjerëve”, tha Khan në një postim në Twitter.

Në dhjetor të vitit 2016, një aeroplan i PIA-s ishte përplasur në ultësirat e qytetit veriperëndimor Chitral, me çka të gjithë 48 pasagjerët në bord kishin humbur jetën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit