Parlamenti gjerman kundërshton planin izraelit të aneksimit

Mos i humb

Duke folur në parlamentin gjerman në Berlin, ministri i Jashtëm Heiko Maas paralajmëroi se plani izraelit do të kërcënonte stabilitetin e gjithë Lindjes së Mesme.

“Paqja nuk mund të arrihet përmes hapave të njëanshme”, tha shefi i diplomacisë gjermane.

Me përjashtim të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), të gjitha fraksionet e tjera parlamentare u shprehën kundër planit të Izraelit, duke thënë se ai do të rrezikonte në mënyrë serioze zgjidhjen dyshtetërore.

“Ne jemi jashtëzakonisht skeptikë në lidhje me planet e qeverisë së re izraelite”, tha Juergen Hardt, zëdhënës i politikës së jashtme i Partisë Demokristiane të kancelares Angela Merkel.

Hardt tha se plani izraelit është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Parlamentari gjerman paralajmëroi për “rrezikun e tensioneve të reja” në Lindjen e Mesme, nëse Izraeli vazhdon me aneksimin e diskutueshëm të pjesëve të Bregut Perëndimor të okupuar.

Komente të ngjashme erdhën edhe nga zëdhënësi i politikës së jashtme i Partisë së Lirë Liberale Demokratike (FDP) Bijan Djir-Sarai, i cili shprehu “shqetësim të madh” për planin e Izraelit.

Më herët gjatë ditës, ndihmëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Rainer Breul, riafirmoi kundërshtimin e tij për projektin e Izraelit.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë njoftim aneksimi. Mbetemi të përkushtuar për qëllimin e një zgjidhjeje të negociuar dyshtetërore. Ky është pozicioni ynë”, tha Breul në një konferencë shtypi.

Ministri i Jashtëm gjerman është zotuar të vendosë çështjen në krye të agjendës pasi Berlini sot mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian për gjashtë muaj, si dhe kryesimin njëmujor të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Maas i bëri thirrje Izraelit të rishqyrtojë planet e tij, duke thënë se është akoma e mundur të përdoret “mundësia dhe koha” përpara një aneksimi të mundshëm.

Qeveria e re e Izraelit pritet të paraqesë strategjinë e saj këtë muaj për zbatimin e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Plani amerikan i hap rrugën Izraelit për të aneksuar pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor, përfshirë Luginën e Jordanit, të cilën Izraeli pushtoi në vitin 1967.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, vlerësohet si territor i pushtuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë kështu të gjitha vendbanimet kolone hebreje atje, si dhe aneksimin e planifikuar, të paligjshme.

Zyrtarët palestinezë kanë paralajmëruar se do të shfuqizojnë marrëveshjet bilaterale me Izraelin nëse ai vazhdon me aneksimin, i cili do të dëmtonte më tej një zgjidhje dyshtetërore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit