Pas dorëheqjes së May, shumica e britanikëve e shohin vendin në krizë

Mos i humb

Pas njoftimit për dorëheqje të kryeministres britanike, Theresa May, gati dy të tretat e britanikëve besojnë se Mbretëria e Bashkuar është në gjendje krize, me shumicën që favorizojnë zgjedhje të përgjithshme sapo të vendoset një lider i ri.

Anketa e zhvilluar nga Sky Data, e publikuar sot, zbuloi se 54 për qind e publikut besojnë se zgjedhjet e menjëhershme të përgjithshme duhet të mbahen sapo të zgjidhjet një kryeministër i ri kundrejt 36 për qind të cilët kundërshtojnë mbajtjen e tyre. Ndërkohë 11 për qind e publikut janë të pavendosur mbi këtë çështje.

Rreth 65 për qind e publikut besojnë se Mbretëria e Bashkuar ndodhet në një krizë kombëtare pas dorëheqjes së kryeministres May dhe në mes të kaosit në rritje rreth Brexit-it, me 27 për qind që nuk pajtohen dhe 8 për qind që janë të pasigurt rreth kësaj. Këto shifra përfaqësojnë një rritje të konsiderueshme nga hera e fundit kur është zhvilluar anketa e njëjtë.

E njëjta anketë u zhvillua menjëherë pas disfatës së parë parlamentare të marrëveshjes së kryeministres May mbi Brexit-in në muajin janar, humbja më e madhe e qeverisë në historinë britanike, në të cilën 61 për qind thanë se Mbretëria e Bashkuar ishte në gjendje krize.

Pas njoftimit të dorëheqjes së kryeministres May, 73 për qind e publikut thonë se Mbretëria e Bashkuar mbetet më e ndarë gjatë viteve të fundit.

May njoftoi dorëheqjen e saj të premten, duke u përulur në presionin e një grupi të deputetëve të Tory pasi u kërcënua me një votim të ri të mosbesimit.

Marrëveshja e korrigjuar e kryeministres May mbi Brexit-in, që përfshinte një votim mbi një referendum të dytë nëse do të miratohej në Parlament, i zemëroi deputetët në partinë e saj, u refuzua nga laburistët dhe pasoi dorëheqjen e Andrea Leadsome, një anëtare e lartë e kabinetit dhe udhëheqëse e Shtëpisë Përfaqësuese. Ministrat tjerë po ashtu kërkuan të japin dorëheqje nëse May nuk pranon të caktojë një afat kohor për largimin e saj.

May pritet të vazhdojë udhëheqjen e partisë së saj dhe vendin deri më 7 qershor, pasi të bëhen të ditura rezultatet e zgjedhjeve evropiane dhe pasi ajo të pret për një vizitë shtetërore presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

Pas kësaj, deputetët e Tory do të hyjnë në një garë partiake, në të cilën një numër deputetësh konservatorë do të luftojnë për pozitën udhëheqëse.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit