Pas votimit nga LIBE, janë edhe disa hapa të vështirë deri te liberalizimi i vizave

Mos i humb

Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme- LIBE sot me 30 vota pro ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por deri te vendimi final, Kosova duhet të kapërcejë edhe disa hapa të vështirë.

Njohësi i çështjeve të integrimeve europiane, Taulant Kryeziu në një deklaratë ka thënë se së pari Këshilli i BE-së do të marrë një pozicion negociues.

E pas kësaj do të zhvillohen takime joformale ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit Europian.

Sipas Kryeziut, në këto takime vendoset një tekst i cili më pastaj shkon për tu votuar në Parlament dhe Këshill.

“Pasi Këshilli ta marrë pozicionin negociues, do të mbahen takime ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit, takime joformale tripalëshe ku dakordohen me një tekst të përbashkët mbi të cilin do të votoj Parlamenti dhe Këshilli. Pastaj duhet votim në seancën plenare të Parlamentit Europian dhe në fund voton Këshilli i ministrave të Bashkimit Europian në përbërje të ministrave të brendshëm dhe drejtësisë”, ka thënë Kryeziu. Ai ka bërë të ditur se disa vende kanë hezitime në lidhje me votën për Kosovën, duke bërë të ditur se vështirësia më e madhe për Kosovën do të jetë në Këshill.

Kryeziu thotë se hezitime kanë shprehur edhe Franca e Holanda.

“Këshilli definitvisht do të jetë më së vështiri pasi ka ende hezitime disa nga kryeqytetet e BE-së, dhe Këshilli është institucion i fundit që jep dritën jeshile. Pra votojnë ministrat e brendshëm dhe drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së dhe kjo është patatja e nxehtë do të jetë aty. Dihet se ka hezitime nga Holanda, Franca që ende kanë skepticizma sa i përket procesit. Edhe liderët i kisha ftuar që me qenë të përmbajtur edhe mos me i rritë pritshmëritë te qytetarët”, shprehet Kryeziu.

Duke folur për afatet kohore që mund të marrë gjithë ky proces, njohësi i integrimeve evropiane vlerëson se skenari më pozitiv do të ishte nëse vendimmarrja për vizat përfundon në vitin 2018.

Sipas tij, kjo temë mbetet në pozicionin e vendeve anëtare të BE-së.

“Së paku të kishim vendimmarje në vitin 2018 do të ishte mirë. Kjo është temë e pozicionimit të vendeve anëtare të BE-së, askush nuk mund të spekulojë me saktësi se çka vendosin veç e veç ministrat e brendshëm ose të drejtësisë. Do të ishte mirë që vendimmarja së paku të ndodhte në vitin 2018, do të ishte skenar pozitiv”, përfundon Taulant Kryeziu.

Liderët e institucioneve të Kosovës pas votimit në LIBE janë shprehur optimist se kosovarët do të lëvizin pa viza deri në fundin e vitit.

Ndryshe në mesin e muajit shtator, në seancën plenare të Parlamentit Europian pritet të votohet për këtë çështje./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit