PD: Fatmir Xhafaj mbrojti me ligj vëllanë e dënuar për trafik droge

Mos i humb

Partia Demokratike e ka të qartë: Fatmir Xhafaj po e mbron vëllanë e tij, Agron Xhafaj nga vuajtja e dënimit për akuzën e trafikut ndërkombëtar droge.

Madje, sipas opozitës, Xhafaj në cilësinë e kreut të Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve ka ndërhyrë duke ndryshuar nene të Kodit të Procedurës Penale, për t’i siguruar, siç thotë opozita, lirinë e përjetshme të të vëllait.

“I ka siguruar të vëllait lirinë e përjetshme, dhe garancinë me ligj të shmangies nga vuajtja e dënimit të marrë në mungesë për trafik ndërkombëtar droge. Shqiptarët e kujtojnë se një nga ligjet e miratuara në kuadër të Reformës në Drejtësi, ishte edhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky ligj ishte mundësia e artë që Fatmir Xhafaj të zgjidhte hallin e madh të vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, në Itali, në mungesë”, thotë PD.

Demokratët përmendin nenin 491 të këtij kodi.

“Pa transparencë dhe në konflikt të pastër interesi, Fatmir Xhafaj propozoi dhe miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që i siguron paprekshmërinë vëllait të tij Agron Xhafaj. Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, befas dhe pa asnjë diskutim, shtohet pika “f”, duke parashikuar që NUK MUND TË JEPET EKSTRADIMI KUR PERSONI I KËRKUAR ËSHTË DËNUAR NË MUNGESË, ME PËRJASHTIM TË RASTIT KUR SHTETI KËRKUES JEP GARANCI PËR RISHIKIMIN E VENDIMIT”, shton opozita.

PD kujtoi 7 pyetjet që sipas opozitës, presin përgjigje nga kreu i Ministrisë së Brendshme.

“Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e Agron Xhafajt dhe për të verifikuar zyrtarisht nëse është apo jo i dënuar, në kushtet kur deklaron se cilido në këtë vend, përfshi atë vetë apo familjarët e tij nuk është mbi ligjin, dhe se ai dhe qeveria e tij nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt? Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë? Pse nuk i ka kontaktuar Fatmir Xhafa, as shkresërisht, dhe as informalisht, autoritetet ligjzbatuese italiane, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?”, thotë PD.

Partia Demokratike thotë se Xhafaj nuk u jep dotë përgjigje këtyre pyetjeve dhe e akuzon atë se po mbron të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

“Pyetja që ngrihet sot nga të gjithë është: A është ndihma që po i jep Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm të vëllait të dënuar për trafik droge, rasti parë, apo ai ka ndikuar edhe më herët, duke përdorur funksionet publike, për ta mbrojtur të vëllain?”, deklaruan nga selia e PD-së, i Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit