PD s’tërhiqet nga djegia e mandateve. Basha: Nuk ka frymëzim më të madh sesa SHBA

Mos i humb

Lulzim Basha zgjodhi një shprehje të Presidentit Lincoln për t’iu përgjigjur Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila reagoi ashpër për vendimin e opozitës për të djegur mandatet.

“That these dead shall not have died in vain. That this nation under God, shall know a new birth of Freedom and that Government of the people, by the people and for the people shall not perish from the face of Earth. Dhe për ta përkthyer tani thënien e Presidentit Lincoln, shpresoj që kjo sakrificë nuk do të shkojë dëm. Se ky komb nën Zot, do të ketë një lindje të re të Lirisë dhe Demokracisë dhe se qeverisja e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nuk do të zhduket nga faqja e Shqipërisë. Unë nuk komentoj kurrë asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t’jua them fare qartë: për PD dhe për mua, personalisht, nuk ka frymëzim më të madh sesa SHBA dhe demokracia amerikane”, deklaroi Basha.

Ashtu si 3 vite më parë për reformën në drejtësi, SHBA iu bëri thirrje nominale deputetëve që të refuzojnë djegien e mandateve, por Kryesia e Partisë Demokratike vulosi me votë unanime vendimin e marrë edhe nga grupi parlamentar.

“Djegia e mandateve është rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor: që të shembim një qeveri të krimit, për krimin dhe nga krimi dhe t’i japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit”, theksoi kreu i PD-së.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë u sqarua edhe procedura e lënies së mandateve. Burime i thanë Top Channel se po përgatitet një model tip dorëheqjeje për 194 personat e listës së Partisë Demokratike, përfshirë edhe 43 deputetët aktualë.

Për të evituar rrjedhjet nga radhët e demokratëve, këta të fundit pritet të firmosin një dokument duke pranuar në mënyrë vullnetare bashkangjitur arsyetimin politik lënien e mandatit. Deputetët do të dorëzojnë mandatin e tyre në Kuvend, ndërsa kandidatët pasues në lista në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit