Përfundimi i mandatit për Llallën/ Ja skenarët për Kryeprokurorin

Mos i humb

Kjo e premte, pas tre ditësh, është saktësisht dita e fundit e mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla për të cilën janë ngritur shumë pikëpyetje mbi të gjitha hapat që do të ndërmarrë maxhoranca apo opozita.

Të gjithë juristët dhe palët politike në vend, bien dakord në këtë pikë se praktikisht, de facto dhe de jure në 7 dhjetor bëhen 5 vjet që nga 7 dhjetori i vitit 2012 kur Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi Llallën Prokuror të Përgjithshëm. Çfarë po gatuhet në korridoret e politikës teksa kanë ngelur dhe tre ditë kohë dhe nuk është marrë asnjë veprim juridik për gjetjen e zëvendësit të tij? Burime të mirë informuara brenda shumicës parlamentare i thanë Report TV se ky institucion nuk do të veprojë deri në datën 7 dhjetor, kur mbarimi i mandatit të Llallës të bëhet fakt i kryer.

Këtu lind pikëpyetja e parë: Cili do të konstatojë mbarimin e mandatit të tij? Sipas ligjit në fuqi, është Këshilli i Lartë i Prokurorisë ai që konstaton mbarimin e mandatit, por KLP ende nuk është ngritur si institucion. Cilët janë skenarët në këtë rast, në respekt të Kushtetutës, ligjeve organike dhe Rregullores së Kuvendit? Skenari i parë është që kryeprokurori në detyrë Adriatik Llalla t’jua thjeshtojë punën të gjithëve dhe në datën 7 të largohet vetë duke konstatuar mbarimin e mandatit të tij, dhe tu hapë rrugë veprimeve të tjera.

Motivimi i vetëm në realizimin e këtij skenari lidhet me faktin se kryeprokurori Llalla përfiton automatikisht nga neni 148 i Kushtetutës i cili i jep ish prokurorit të përgjithshëm një vend të sigurt si gjyqtar në një nga gjykatat e apelit. Në rast se kjo nuk ndodh, dhe Llalla vijon të qëndrojë në detyrë, atëherë organi i vetëm që mund të interpretojë këtë çështje është Gjykata Kushtetuese. Maxhoranca dhe Opozita janë të vetmet që mund të vënë në lëvizje këtë gjykatë, e cila e shteron këtë debat përfundimisht.

Skenari i dytë, është ai që, nëse nuk përdoret rruga drejt Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi angazhon të vetmin organ përgjegjës për këtë çështje: Komisionin e Ligjeve i cili duhet të japë një zgjidhje juridike mbarimit të mandatit dhe caktimit të Prokurorit të Përkohshëm nga Kuvendi.

Burimet brenda shumicës parlamentare bëjnë me dije se, sikundërse rekomandon Euralius dhe OPDAT, në zbatim të neneve transitore, Ligjet të nisin procedurën për emërimin e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, i cili zgjidhet në parlament me 71 vota.

Aktualisht, veprimet për fatin e Llallës ngjajnë me një lojë shahu ku lojtarët janë vetë Llalla së bashku me Ramën në njërën anë dhe Bashën në anën tjetër. Të gjithë presin veprimin e Llallës në 7 dhjetor për të kombinuar lëvizjet e tyre. Se sa do të zgjasë kjo lojë dhe a do të kapet dikush “mat” për tu bërë për pak kohë numri një i prokurorisë, ngelet e paqartë. Nuk përjashtohet mundësia që për shkak të kësaj loje nenesh dhe nervash, vendi të ngelë për pak kohë pa prokuror të përgjithshëm.

Urgjenca e vetme në këtë rast, është se numri një i prokurorisë është i nevojshëm për të firmosur borderotë e pagave stafeve. Nga ana hetimore, që prej 1 gushtit kur ka hyrë në fuqi Kodi i Procedurës Penale, prokurori i përgjithshëm nuk ka asnjë vendimmarrje, pasi të gjithë elementët hetimorë deri tek pretenca janë kompetencë ekskluzive e prokurorëve të çështjeve, dhe konfirmohen nga gjykata, e jo nga titullari i institucionit./SYRI.net/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit