“Përkundër përpjekjeve për të zhbllokuar dialogun, rezultatet janë zero”

Mos i humb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se nëse gjatë këtij viti nuk arrihet ndonjë marrëveshje Kosovë-Serbi, rrezikohet destabilizimi i rajonit.

Presidenti Thaçi këto vlerësime i bëri në një konferencë me temë “Zëri i Popullit rreth Finales së Madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, duke theksuar se përmbyllja e dialogut me Serbinë është “interes nacional i Kosovës” dhe është e domosdoshme që spektri politik të jetë unik.

“Shtetësia territoriale e Kosovës është e përfunduar, por nuk mund të marrë trajtën finale nëse Kosova s’është pjesë e OKB-së, NATO-s dhe BE-së. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë jo vetëm raportet tona të dy shteteve, por të rajonit. Gjërat nuk po lëvizin fare, dhe aktualisht jemi duke vendnumëruar, përkundër përpjekjeve për të zhbllokuar dialogun rezultatet janë zero”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi foli edhe për idenë e “korrigjimit të kufirit” me Serbinë, i cili theksoi se është i kënaqur për përkrahjen e madhe qytetare që ka marrë kjo ide. Por, ai tha se është për keqardhje që “në një moment historik në të cilin ndodhet Kosova, klasa politike kosovare po dështon që të bashkohet për të bërë realitet idealin e bashkatdhetarëve në Luginë të Preshevës për t’iu bashkëngjitur Kosovës”.

“Unë në kapacitetin tim aktual si President i Kosovës e kam për detyrë morale, por edhe shtetërore, që të bëjë gjithçka për të ndihmuar realizimin e aspiratës së shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, që t’i bashkohen Kosovës në mënyrë krejt paqësore dhe demokratike”, ka thënë Thaçi.

Në fund të fjalës së tij, Thaçi ka theksuar se askush nuk ka të drejtë që ta mbajë pezull shtetin e Kosovës dhe të mos i jep epilogun e duhur dhe të vetmin të mundshëm raporteve të Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe njohjen reciproke.

Ndërkohë, pas Samitit të Berlinit që u mbajt në fund të muajit prill mes dy shteteve bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emanuel Macron, Kosova dhe Serbia prisnin të takoheshin në Paris më 1 korrik, por ky takim është shtyrë zyrtarisht deri në afat të pacaktuar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit