Përplasja me presidentin Meta, Balla: Gjykata Kushtetuese të hënën me 5 anëtarë. Votimi nga Kuvendi

Mos i humb

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, tha dje se të hënën, Gjykata Kushtetuese do të bëhet me 5 anëtarë pas votimit në Kuvend të dy anëtarëve të rinj.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Balla shprehet se nuk ka më asnjë pengesë, as nga Presidenti i Republikës për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Në vijim të akuzave ndaj kreut demokrat, Basha, Balla akuzon dy prokurorët e çështjes se u përpoqën ta mbyllnin dosjen e Bashës për financime të huaja, ndërsa i kërkon kryedemokratit të mos ketë frikë të hetohet nga SPAK-u.

Akuza juaj ndaj kreut të PD-së për financime ruse dhe pastrim parash ra nga Prokuroria, duke iu përmbajtur vetëm akuzës për falsifikim. Ju akuzoni KÇK-në dhe paralajmëroni hetim nga SPAK-u. Ishte akuza juaj e mangët në dokumentacion, që çoi në këtë vendim të Prokurorisë?
Lulzim Basha është marrë i pandehur dhe kjo nuk duhet anashkaluar, edhe pse ka pasur një tentativë për ta amnistuar nga një prej veprave penale, nga ajo më e rënda. Nuk duhet të harrojmë se në kushte shumë të lehta fajësie, KQZ-ja shkarkoi Agim Kajmakun nga detyra e Kryetarit të Bashkisë Vorë, për falsifikim të dokumenteve zyrtare. T’i kthehemi akuzës tjetër që rëndon mbi të pandehurin Lulzim Basha. Pas kallëzimit të bërë prej meje në fund të vitit 2017 dhe veprimeve hetimore të kryera prej prokurorëve, kjo është një dosje që ka ndryshuar disa prokurorë.

Më në fund, në maj-qershor 2019, organi i akuzës e shpalli zyrtarisht Lulzim Bashën person nën hetim për dy vepra penale, atë të falsifikimit të vulave apo dokumenteve zyrtare, si dhe për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Edhe e para, edhe e dyta janë dy vepra penale të rënda për çdo politikan. Një kryetar partie që akuzohet për falsifikator. E turpshme.
Te të dyja gjenden elementet e dyshimeve tona se Lulzim Basha kishte kryer transferta të mëdha parash, qëllimi dihet përse, duke mospërdorur rrugët normale të ligjshme: duke shmangur deklarimin në organet shqiptare, duke mospërdorur sistemin bankar shqiptar, duke mospërdorur burime të ligjshme të deklaruara dhe siç ju si gazetar i vëmendshëm mbani mend duke gënjyer disa herë për këtë rast.

Në dokumentin e Prokurorisë së Tiranës të bërë publik nga ju mediat, e të cilin e kam lexuar edhe unë, rezulton se të gjitha akuzat tona publike janë konfirmuar gjatë hetimit. Po mundohem të jemi i përmbledhur. Së pari, është vërtetuar nga Prokuroria se kompania guaskë “Biniata Trade” ka kompensuar lobistin Nik Muzin për veprimtari të kryera për llogari të PD-së, duke paguar një herë 500 mijë dollarë dhe një herë tjetër 150 mijë dollarë, pra 650 mijë dollarë për llogari të PD-së dhe Lulëzim Bashës.
Prokurorët kanë hetuar në bankat shqiptare të nivelit të dytë dhe rezulton se PD-ja nuk ka bërë dërgesa monetare në shifrën 500 mijë dollarë apo 150 mijë dollarë për asnjë subjekt, pra as për kompanitë e Muzin, “Stonington Strategies”, “Capitol Partners” dhe “Biniatta Trade”. Së dyti, edhe nga letërporositë konfirmohet se kompania e lobingut ka marrë nga Partia Demokratike e Shqipërisë një sasi prej 675 mijë dollarë për lobim në SHBA, nga të cilat vetëm 25 mijë janë paguar nga PD-ja dhe 650 mijë nga kompania “Biniatta Trade” në dy pagesa.

Së treti, ka rënë poshtë gënjeshtra e Lulzim Bashës në Krishtlindje 2017 në emisionin “Opinion” kur tha se 500 mijë dollarët ia dhanë 100 shqiptaro-amerikanë. Edhe nëse do të kish qenë e vërtetë, është bërë në shkelje të ligjit për financimin e partive politike në Shqipëri.

Së katërti, edhe pse Prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim për pronësinë e kompanisë “Biniatta Trade”, pronësia e saj nga shtetas rusë tashmë është konfirmuar publikisht. Së pesti, konfirmohet se ka një financim të huaj për PD-në nga “Biniatta Trade”. Së gjashti, amnistimi i partnerit të Lulzim Bashës në SHBA, për shkak të marrëveshjes së Mbretit Zog me Presidentin Roosvelt, 80 vite më parë, nuk mund të jetë argument për të amnistuar Lulzim Bashën. Nëse i janë dhënë garanci partnerit të Bashës për t’i marrë dëshminë, atëherë duhet marrë dëshmia. Ky i fundit, Basha, ka detyrimin edhe publik të thotë kush fshihet pas “Biniatta Trade”, sikurse ende nuk ka dhënë përgjigje për Kamil Ekim Alptekin. Zoti Lumezi, Prokuroria ka vërtetuar gjithçka ne kemi dyshuar.

Pse duhet hetuar nga SPAK?
E para, kjo dosje hetimore është e paplotë për të shkuar në Gjykatë. Si e çon në Gjykatë pa hetuar kompaninë “Biniatta Trade”?! Kam dëgjuar dje në media se ka filluar një proces verifikimi. Dy prokurorë, nga tre që është grupi, nuk mund të mbyllin hetimet pa bërë asnjë veprim nga momenti që i pandehuri u vu zyrtarisht nën akuzë. Dhe prej atij momenti, janë bërë publikë edhe shumë elemente të tjera. Revista gjermane “The European” sapo ka publikuar një analizë-investigim të plotë për përfshirjen e rusëve pas “Biniatta Trade”. Unë kam dyshime se prokurorët janë ndikuar ta mbyllin 2-3 javë përpara se të fillojë Prokuroria Speciale.

Lulzim Basha ia ka hedhur një herë për procedurë. Do ishte e turpshme që dy nga tre prokurorët të kenë në mëndje dredhi procedurale për të shpëtuar Lulzim Bashën nga akuza e dytë. Sepse për të parën, skenari duket qartë: Gazment Bardhi, në deklarimet e tij, fajëson Arben Ristanin dhe rrufepritësi ose kurbani, përveç Ristanit, do jetë edhe njëfarë Ilir Dervishi, që do marrë përsipër fajin për falsifikimin. Skemë e vjetër Lulzimit. Prandaj duhet që të kryhen të gjitha veprimet hetimore. Pse ka frikë Lulzim Basha nga hetimi i kësaj dosje nga SPAK-u?!
A është i pafajshëm?! Të hetohet plotësisht, jo me copa. E meqë jemi te SPAK-u, vetë Lulzim Basha duhet t’i kërkojë Prokurorisë Speciale antikorrupsion të rihapet hetimi edhe për aferën e “Rrugës së Kombit”, duhet të verifikojë fajësinë ose pafajësinë e tij. Të mos harrojmë që Basha nuk mund t’i shmanget më ligjit dhe drejtësisë, as me procedura siç po bën përsëri e as me raporte mjekësore.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, rrëzoi projektrezolutën e paraqitur në Parlament për financimet ruse, duke kërkuar mos fokusimin te Basha si politikan, por trajtimin si fenomen. E shihni Bushatin një zë ndryshe në PS dhe a po shkel vijën e kuqe?

Për gjithçka që folëm më sipër, konfirmohet nevoja që në Shqipëri të përmirësojmë legjislacionin dhe forcën kontrolluese kundër penetrimit të çdo financimi të paligjshëm të partive politike apo fushatave zgjedhore. Çfarë ka dalë nga dokumentet e Prokurorisë, konfirmon se PD-ja dhe Lulzim Basha janë financuar ose kanë përdorur një kompani guaskë për aktivitete politike. Rezoluta do të miratohet në Kuvend dhe mendoj që ajo duhet zgjeruar edhe me elemente të tjera që lidhen me mbrojtjen e sistemeve të të dhënave nga sulmet kibernetike. Ideja e Rezolutës lindi nga biseda me shumë kolegë në Parlamentin Europian, pas miratimit të Rezolutës nga vetë Parlamenti Europian. Nuk kam asnjë koment për Ditmir Bushatin. Do ta ftoja atë edhe plot kolegë të tjerë ta lexonin shkrimin në “The European” me titullin “Me porosi të rusëve”. Shpresoj që Ditmiri të reflektojë në javët dhe muajt e ardhshëm dhe ta respektojë njëlloj familjen e tij politike, si në kohën kur ishte ministër. Një pjesë rëndësishme e Rezolutës lidhet me dezinformimin, me lajmet e rreme.

Ajo që ndodhi me lajmin e rremë për tërmetin e që nxori nga shtëpitë në mes të natës nëna me fëmijë, të moshuar, burra e gra, ishte kulmi i një degradimi të turpshëm dhe abuzimit me lirinë që ka media. Liria e medias është e pakufishme sa kohë që nuk prodhon lajme të rreme e më pas fillon rrokullisja në çdo portal e gazetë, për t’u shndërruar në ortek me rrena. Paketa Antishpifje është një hap i parë i rëndësishëm për të vënë disa rregulla bazë minimale.

Kur duket se po afron dita që të kemi Gjykatë Kushtetuese me anëtarë të rinj, emrat e kualifikuar kalojnë nga Kuvendi te Presidenti, i cili thotë se nuk është radha ime për të zgjedhur, duke krijuar perceptimin në popull se po bëhet një lojë pingpongu, në dëm të nisjes nga puna të kësaj Gjykate. Si e shihni këtë ngërç dhe si zgjidhet?
Të hënën, Kuvendi i Shqipërisë zgjedh dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Besoj se në janar, fillimshkurti 2020, Kuvendi zgjedh edhe anëtarin e tretë që i takon Kuvendit. Presidenti i Republikës duhet të jetë më i sinqertë me publikun, sepse me Kushtetutën ka kohë që s’ka marrëdhënie të mirë me leximin dhe me respektimin e saj. Por, dje, edhe kjo dilemë ka marrë zgjedhje dhe siç është njoftuar zyrtarisht është shpallur edhe anëtari tjetër i Gjykatës Kushtetuese, zonja Arta Vorpsi. Kuvendi do t’i zgjedhë të hënën dy anëtarët që i takojnë nga dy listat përkatëse. Uroj që Presidenti të mos ketë ndjekur këshillat miqësore të zëdhënësit të PD-së për çështjet e drejtësisë, ish-deputetit Enkelejd.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit