Përulësia e të Dërguarit të Allahut a.s

Mos i humb

 

 

Javaid Iqbal Nasir

Sot, në këtë mbledhje, jam i caktuar të flas rreth njërit prej shumë virtyteve të Profetit Muhamed s.a.v.se ai virtyt është modestia apo përulësia e shkëlqyeshme e Muhamedit s.a.v.s.

Përulësia dhe modestia, në fakt janë virtyte kundër arrogancës dhe janë një lloj sakrifice. Përulësi nuk quhet ajo nëse njeriu është i paaftë dhe e reklamon paaftësinë e tij. Si rrjedhojë duhet të kuptojmë se përulësia është një mjet shumë i fuqishëm, i cili kur bashkohet me sakrificën, i djeg të gjitha të këqijat. Për këtë arsye, Zoti i do shumë njerëzit e përulur, ndërsa arrogantët nuk i do aspak. Ai thotë:

Robërit e Zotit të Gjithëmëshirshëm janë ata, të cilët kur ecin në tokë, ecin me përulësi.
(El-Furkan 25:64)

Ky virtyt i lartë shënoi shkëlqim të jashtëzakonshëm gjatë jetës së Profetit tonë të dashur, Hazret Muhammedit s.a.v.s.

Kujtoni kohën kur Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s, i erdhi shpallja e parë, ndërsa ai vazhdimisht thoshte se unë nuk di të lexoj dot. Në të vërtetë, kjo rridhte nga përulësia e tij. Mirëpo kur atij iu dha detyra e reformimit të tërë njerëzimit, ai u shpreh në këtë mënyrë, duke kujtuar madhështinë e Zotit dhe këtë detyrë të shenjtë.

Kjo shprehje e tij, para se të merrte profetizmin, në fakt ishte një shenjë e madhe e përulësisë së tij, e cila ishte pjesë e natyrës së tij. Jo si njerëzit e tjerë që sjelljet e tyre i bëjnë me krenari, por ai në vend që të krenohej, duke thënë se sot kam marrë një përgjegjësi kaq madhore, në fakt ai tregoi përulësinë e tij, shembullin e të cilit nuk mund ta gjejmë te asnjë njeri tjetër në këtë botë.

Kjo ishte arsyeja, që duke parë përulësinë e përsosur të tij, engjëlli që solli shpalljen, iu përkushtua Profetit aq shumë, saqë e përqafoi fort atë.

Pas së cilës herë, prej të triave, gjersa engjëlli i thoshte të dërguarit të Allahut që të lexonte i Dërguari përulej, e ai e përqafonte. Më në fund, Xhibraili ia dorëzoi në emër të Zotit amanetin që kishte sjellë prej Zotit. Por, shikojeni vijueshmërinë e përulësisë së tij. Shumë i frikësuar nga kjo ngjarje, ai shkoi te gruaja e tij dhe i tha: “Kam frikë për veten”. Gruaja e tij, Hazret Hetixhja e përkrahu të Dërguarin në ato momente dhe fjalët që i kishte thënë, janë dëshmi madhore për gjendjen e tij të përulur. Ajo i tha: Një njeri si ti kurrë nuk do të dështojë. Ti përpiqesh t’i bashkosh njerëzit, të paaftëve u ngre barrët e tyre, ti i mirëpret mysafirët, ndihmon njerëzit kur janë në nevojë dhe risjell virtyte të humbura.

(Buhariu, Bedul Uehi)

Të gjitha këto veprime, në fakt, shfaqin virtytin e përulësisë së Profetit Muhammeds.a.v.s.

Të nderuar miq. Përulësia dhe modestia shfaqen në dy mënyra:

E para është ajo përulësi dhe modesti, që njeriu bën ndaj Zotit. Dhe e dyta është ajo modesti që njeriu ka me njerëz të tjerë.

Më së pari, dua ta shtjelloj, se si Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. bëhej i përulur para Zotit të botëve? Sa shumë ai frikësohej kur gjendej te pragu i Tij.

Hazret Aejsha r.z., thotë:

Një natë kur u zgjova, nuk e gjeta të Dërguarin e Allahut në shtrat. Dola ta kërkoja atë dhe pashë se ishte në sexhde dhe po lutej:

O Zoti im, të kërkoj pëlqimin Tënd. Dua t’i shmangem mospëlqimit Tënd. Jam i paaftë të të lavdëroj Ty. Ti je Ai që mund të më tregosh për lavdërimin Tënd.

Nëpërmjet përulësisë,  Profeti ynë Hazret Muhammedis.a.v.s. arriti nivelin më të lartë para Zotit. Hazret Ebu Hurajrah tregon se përulësia e tij e skajshme para Zotit iu shpërblye me bekime kaq të mëdha prej Zotit saqë ai do të jetë udhëheqësi i gjithë njerëzimit në Ditën e Gjykimit. Do të jetë ai që do të ringjallet më së pari në botën tjetër. Edhe ndërmjetësi i parë ai do të jetë, që do të shpëtojë një botë të tërë nga ndëshkimi. Atij do t’i jepet niveli Mahmud ( niveli i lavdëruar prej Zotit), i cili është niveli më i lartë i lavdisë. Pasi ka marrë të gjitha këto bekime, a e dini se çfarë thoshte udhëheqësi ynë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?  Vetëm kaq:

Jam lideri i njerëzimit. Por nuk jam krenar për këtë.

(Musnad Ahmedi, vëll. 2)

Befasohesh, kur dëgjon se Profeti ynë ka pasur të gjitha këto nivele të larta, por përulësia e tij ka qenë e skajshme. Duke iu drejtuar anëtarëve të farefisit të tij, ai thotë:

O halla ime Safia, dhe o vajza dhe zemra ime Fatime, unë kurrsesi nuk mund t’ju shpëtoj nga ndëshkimi i Zotit. Duhet të shqetësoheni vetë për veten tuaj.

(Buhariu, Kitabut Tefsir, Suretush Shuara)

Es-habëve të tij, ai u thoshte:

Asnjë njeri nuk do të hyjë në xhenet për shkak të veprave të tij. Es-habët e pyetën: O i Dërguari i Allahut, edhe ju nuk do të hyni në xhenet nga veprat tuaja? Po, nëse nuk do të më mbulojë mëshira dhe bekimi i Zotit, as unë nuk mund të hyj në xhenet.

(Muslim Kitab Sifatul Kijamah uel Xhenati uen Nar, bab lenj jedkhulal xhenata ahadun biamalihi)

Edhe jeta e tij shtëpiake ishte shumë modeste. Ai thoshte: Jam një punëtor i thjeshtë, ha e pi, çohem e ulem si gjithë njerëzit e tjerë. Hazret Ajesha thoshte se i Dërguari i Allahuts.a.v.s. gjithmonë rrinte afër familjes dhe ishte shumë i shoqërueshëm, i ndihmonte në punët shtëpiake. Rrobat e tij i lante vetë. Shtëpinë e fshinte vetë. Rregullonte devenë. Vetë ushqente bagëtitë. Milte dhitë. Të gjitha punët personale i kryente vetë. Ndihmonte shërbëtorin në punët e tij duke qëndruar bashkë me të. Vetë sillte gjërat e shtëpisë nga pazari. (Musnad Ahmad, vëll. 6, f. 49, Bejrut) Hazret Ajesha r.a. thotë: “Kurdoherë që e thërriste dikush në shtëpi, ai gjithmonë i përgjigjej duke thënë jam gati”.

(El-Vafa bi ehvalil Mustafa, Gulam Ibn Xhuzi, i botuar në Bejrut)

I Dërguari i Allahuts.a.v.s. pëlqente të rrinte e të bashkëpunonte me es-habët e tij. Gjatë ndërtimit të xhamisë së Profetit në Medinë, i Dërguari i Allahut ngrihte gurë vetë dhe i sillte për ndërtim. Në një betejë, gjatë gërmimit të hendekut, Profetis.a.v.s. ka punuar bashkë me es-habët duke gërmuar me vegla pune.

(Buhariu, Kitabul Magazi, Bab Gazuetul Ehzab)

Gjatë një udhëtimi, i Dërguari i Allahut ua ndau detyrat të gjithë es-habëve të pranishëm. Pastaj tha: Mos ka mbetur ndonjë punë? Vetë pyeti: Po, dru, kush do të mbledhë? Pastaj vetë tha: Mirë, e bëj unë këtë punë.

Një herë disa mysafirë kishin ardhur nga Etiopia në Medinë. I Dërguari i Allahuts.a.v.s. u përgatit për mikpritjen e tyre. Es-habët i thanë: O i Dërguari i Allahut, ne jemi shërbëtorët tuaj, ne do t’u bëjmë hyzmet. Ai tha: Kur myslimanët ishin mërguar në Etiopi, ata i kishin ndihmuar shumë. Prandaj, dua vetë t’i ndihmojë mysafirët e Etiopisë.

(Siratul Halbija, vëll. 3, f. 49, i botuar në Bejrut)

Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. nuk mburrej as me veshjet e bukura. Shpesh u thoshte es-habëve: Rrobat e stërgjata janë shenjë krenarie. Ruhuni nga kjo. Por, nganjëherë, në rastet e bajramit ose ndonjë rast tjetër, vishte rroba të bukura. Por, kurrë nuk i mori ato si shenjë krenarie.

Gjatë luftës së Bedrit, myslimanët kishin shumë pak kafshë për mbartje. Kështu që një kafshe donin t’i hipnin më shumë sesa dy persona. Ndërsa i Dërguari i Allahut nuk pëlqente që më shumë se dy veta të hipnin njëkohësisht të njëjtës kafshë. Edhe Profeti kishte një deve, por kishte edhe dy njerëz të tjerë që do ta përdornin atë gjatë rrugës. Ata thanë, o i Dërguari i Allahut, hipni në deve, ne do të ecim në këmbë. Ai tha: Jo, Ne do të hipim me radhë. As ju nuk jeni më të fuqishëm se unë që të ecni në këmbë dhe unë të jem në deve  e as nuk keni nevojë për më shumë shpërblim sesa unë,që unë të privohem nga shpërblimi dhe ju duke ecur në këmbë, të fitoni më shumë sevap.

(Musnad Ahmedi, vëll. 1, f. 422, i botuar në Bejrut)

Atij kurrë nuk i vinte turp të qëndronte e të ulej me të varfrit e të shtypurit. Një herë, kishte vdekur një robëreshë zezake. Es-habët nuk e lajmëruan të Dërguarin sepse ishte natë. Ditën tjetër ai u ankua dhe tha se pse nuk e kishin lajmëruar? Pastaj, ai shkoi te varri i saj dhe bëri lutje për të.

(Muslim Kitabul Xhenaiz, Babus Salat, Alel Kebar)

I Dërguari i Allahuts.a.v.s. shpesh lutej: O Zoti im, më bëj ndër njerëzit e varfër. Më bëj të vdes i varfër. Në Ditën e Gjykimit më ringjall me njerëzit e varfër.

(Trimidhi Kitabuz zuhd)

I Dërguari i Allahuts.a.v.s. ishte shumë i shoqërueshëm me es-habët e tij, saqë nëse vinte ndonjë i panjohur, nganjëherë nuk e dallonin dot se kush ishte i Dërguari i Allahut në mesin e tyre. Es-habët kishin përgatitur një vend më të ngritur me dhe, që Profeti të ulej atje, në mënyrë që kur të vinin mysafirët, ta dallonin atë menjëherë. Ndërsa i Dërguari i Allahuts.a.v.s. herë ulej në vendin e ngritur dhe herë ulej poshtë.

Nga përulësia, i Dërguari i Allahut kurrë nuk pëlqente të lavdërohej nga të tjerët. Es-habët i ndërpriste menjëherë nëse ata zmadhonin gjërat duke e lavdëruar atë. Ai i porositi: “Mos e teproni kur më lavdëroni ashtu siç e kanë tepruar të krishterët duke e lavdëruar Hazret Isain dhe e bën atë të birin e Zotit. Jam një njeri i thjeshtë. Për mua përdorni vetëm fjalët si: rob dhe i dërguar. Mjafton kaq.

(Buhariu, Kitabul Ambjia, Bab kaulilalahi “Uedhkur fil Kitabi Merjema”)

Hazret Enesi thotë: Një ditë erdhi një njeri dhe iu drejtua Profetit Muhammeds.a.v.s. me këto fjalë:

“O Muhammed! Je më i miri ndër nesh. Je fëmija e prindërve më të mirë ndër nesh. O udhëheqësi ynë! O pasardhësi i udhëheqësve tanë!” Hazret Profeti Muhammeds.a.v.s. e ndërpreu dhe tha: “Fol atë që ke për të thënë dhe ruaju nga fjalët e shejtanit. Jam vetëm Muhammedi, i biri i Abdullahut dhe i Dërguar i Zotit. Mos i shto asnjë fjalë pozitës sime të përcaktuar prej Zotit”.

(Musnad Ahmed, vëll. 3, f. 249, i botuar në Egjipt)

Një herë, gjatë një mbledhje me es-habët e tij, i Dërguari i Allahuts.a.v.s. tha:

“Nëse kam lënduar dikë nga ju, sot le të hakmerret me mua. Usaid Bin Huzair, që ishte njeri gazmor, tha: Po, mua më keni lënduar një herë dhe dua të hakmerrem me ju sot. Shkopi juaj më kishte goditur një herë. Çfarë pamje befasuese ishte ajo! Shërbëtori po shkonte të hakmerrej me udhëheqësin e tij dhe të gjithë es-habët kishin mbetur gojëhapur. Usaidi tha: O i Dërguar i Allahut, atë ditë kur më lënduat mua nuk kisha rroba të mjaftueshme në trup. I Dërguari i Allahut e ngriti këmishën e tij. Usaidi menjëherë e përqafoi dhe filloi ta puthte atë dhe tha: Kështu desha të hakmerresha me ju”.

(Ebu Daud, Kitabul Adab, Bab fi kublatil xhism)

Hazret Ebu Mesudi r.z. tregon:

“Një ditë kishte ardhur një fshatar te i Dërguari i Allahuts.a.v.s. dhe po dridhej nga respekti ndaj tij ose duke menduar se ishte përpara një mbreti. Profeti e qetësoi dhe tha mos u frikëso. Nuk jam sundues i egër. Jam djalë i një gruaje që hante mish të thatë”.

(Ibni Maxha, Kitabul at’amah, Babul kedir)

I Dërguari i Allahuts.a.v.s. kurrë nuk u mburr për shkak të pozitës dhe fuqisë së tij. Shpesh njerëzit kur gëzojnë ndonjë pozitë, fillojnë të mburren e të krenohen. Por, i Dërguari i Allahuts.a.v.s. ishte krejt ndryshe. Ai tregoi më shumë përulësi pikërisht atë ditë kur ai gëzoi fitoren më të madhe kundër armikut më të madh të jetës së tij. Meka ishte qyteti i tij, por ai u detyrua të largohej në kushte shumë të vështira.

Pas 8 vitesh kur ai po kthehej si fitues dhe mbret në atë qytet, kanë qenë 10 mijë es-habë bashkë me të. Nëse donte, ai mund të hynte në Mekë me madhështi të jashtëzakonshme, në mënyrë që banorët e Mekës, të cilët kanë qenë shtypësit e tij, t’i frikësoheshin atij. Por, a e dini se me çfarë përulësie ky rob i Zotit hyri në Mekë atë ditë?! Njerëzit prisnin të vinte ndonjë mbret me daulle e parulla. Por aty ishte një pamje krejtësisht tjetër. I veshur me një çallmë të zezë kishte hipur në një deve të thjeshtë. Djathtas  kishte shokun e tij të vjetër, Ebu Bekrin.

Ndërsa në të majtë kishte Bilalin dhe Osamën, djalin e shërbëtorit të tij. Në vend të krenarisë, koka e tij ishte ulur nga përulësia aq shumë saqë ajo takonte gungën e devesë. Ai po i bënte sexhde falënderimi Zotit të tij. Vazhdimisht po e madhëronte Atë. Në të vërtetë, ulja e kokës së tij ka qenë vetëm një shenjë e vogël e përulësisë së tij, sepse përbrenda, çdo grimcë e trupit të tij ishte në sexhde para Zotit të Madhërishëm.

(As-siratun Nabauijah, Ibni Hasham, vëll. 4, f. 91, i botuar në Bejrut)

Të nderuar miq, Ky ka qenë modeli i përulësisë që ka treguar i Dërguar i Allahut në Arabi në kohën kur krenaria, mburrja dhe kryelartësia kanë qenë në natyrën e arabëve.

Një herë dikush iu drejtua Profetit Muhammeds.a.v.s. me fjalët “Më i miri i njerëzimit”. Profeti tha: “Është Ibrahimi a.s.” (Musnad Ahmed, vëll 3), edhe pse, prej Zotit ai ishte kryetar i profetëve. Një herë tjetër kur ra fjala për profetin Junus, ai tha:

“Mos më jepni epërsi mbi Junusin a.s.

(Buhariu Kitabul Ambija, Bab keulilah “Inna Junusa l’minel mursalin”)

Pra, këto ishin vetëm disa ngjarje të përulësisë së udhëheqësit dhe Profetit tonë, përmes së cilës, ai fitoi zemrat e botës dhe bota e lavdëron atë me fjalë të mëdha dhe do të vijë koha kur ai do të sundojë zemrat e njerëzimit. Zoti na mundësoftë të ndjekim rrugën e tij të madhërishme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit