Pesë vite nga vdekja e “Luftëtarit të Lirisë”, Mandela

Mos i humb

Lideri legjendar i afrikano-jugorëve, Nelson Mandela, përkujtohet në 5 vjetorin e vdekjes së tij.

Në botë i njohur si “Lideri i lirisë dhe pajtimit”, ndërsa në vendin e tij si “Babai i kombit”, Mandela jetën ia kushtoi luftës kundër aparteidit.

Mandela u bë avokati i parë me ngjyrë në vend pavarësisht politikave diskriminuese në Afrikën e Jugut. Për herë të parë në moshën 25 vjeçare iu bashkangjit Kongresit Nacional Afrikan (ANC), ku së bashku me shokët e ngushtë Walter Sisulu dhe Oliver Tambo, ai themeloi forumin rinor të ANC-së dhe u bë kryetar i tij.

Në vitet e 50-ta, kur regjimi i aparteidit u bë më i ashpër, Mandela mbronte idenë e organizmit më “militant”. Ai u burgos disa herë për shkak të pikëpamjeve të tij si dhe iu ndaluan aktivitetet.

Për shkak të luftës ndaj aparteidit, Mandela u dënua me burg të përjetshëm. Për ta vuajtur dënimin, Mandela fillimisht u dërgua në burgun ishullor në “Robben Island” nën masa të larta të sigurisë, ndërsa pas 18 vitesh u transferua në burgun Pollsmoor në Cape Town, me arsye se linte përshtypje mbi të rinjtë e burgosur.

– Mandela, presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut

Emri i Mandelas u dëgjua në botë në saje të një fushate ndërkombëtare të inicuar nga miku i tij Oliver Tambo, me ç’rast Mandela u bë simboli i luftës për liri i afrikanëve.

Ai la gjurmë në botë për shkak të qëndrimit të tij kundër pabarazisë dhe diskriminimit gjatë 67 viteve, prej të cilave 27 vite prapa grilave, gjë që atë e pozicionoi një ndër liderët më të respektuar në botë me qëndrimin e tij paqësor. Mandela mori pjesë në zgjedhjet e para demokratike në Afrikën e Jugut. Në vitin 1994 ai u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.

Në kabinetin e tij, Mandela i dha detyrën e zëvendëskryeministrit Frederick Willem de Klerk, kryeministrit të fundit të regjimit racist, duke theksuar se në vendin e tij do të mbizotëronte paqja dhe jo urrejtja.

Mandela, i cili nuk u kandidua pas përfundimit të mandatit 5 vjeçar, detyrën e presidentit ia dorëzoi bashkëkombasit të tij në luftën për liri, Thabo Mbeki.

Më vonë, Mandela ia dedikoi jetën projekteve për përgjegjësi sociale. Ai luftoi kundër sëmundjes AIDS, e cila ishte shkaku themelor i varfërisë në vend dhe i vdekjes së birit të tij.

Ai vazhdoi aktivitetet përmes fondacionit të tij për përparimin e Afrikës së Jugut në çdo fushë.

– “Nuk është e lirë Afrika e Jugut, pa qenë e lirë Palestina”

Mandela përveç luftës për liri në vendin e tij, njihet edhe me përpjekjet për të transferuar përvojat e tij të gjithë popujve që janë nën persekutim në botë.

Ai mbronte idenë se “Nuk është e lirë Afrika e Jugut, pa qenë e lirë Palestina”, duke qenë mbështetës i rëndësishëm i luftës për liri të popullit palestinez.

Mandela, lideri afrikano-jugor ndërroi jetë më 5 dhjetor të vitit 2013 në moshën 95 vjeçare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit