Platforma për Dialogun shumë shpejtë do shqyrtohet në Kuvend

Mos i humb

Platforma e përfunduar e Ekipit Negociator i është dërguar Kuvendit dhe e njëjta do të shqyrtohet shumë shpejtë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se kjo platformë garanton se nuk do të ketë asociacion me kompentenca ekzekutive dhe se fjalën e fundit për vendimmarrje do ta japin qytetarët përmes referendumit.

“Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Garanton qe nuk do të ketë asociacion me kompentenca ekzekutive. Është një bazë e mirë që Kuvendi do ta shqyrtojë në afatin sa më të shpejtë në mënyrë sa më transparente. Ne do të miratojmë këtë platformë e cila është garanci e juaja ndërsa vendimmarrjen do ta keni vet, fjalën finale me referendumin. Thërras edhe pjesën e opozitës që të ketë bashkëpjesëmarrje në procesin e dialogut historik”, deklaroi Veseli pas takimit.

Veseli tha se propozimi i pezullimit të taksës ka qenë për të mbrojtur interesin e Kosovës.

“Partia ime e ka pjesën më të madhe në qeveri për aq sa edhe deputetë vendimmarrja do të jetë në interes të shtetit. Kam propozuar se është në të mirë të vendit dhe interes strategjik. Ku është Kosova do të jetë Amerika dhe ku është Amerika do të jetë Partia Demokratike e Kosovës”, shtoi më tutje ai.

Ndërsa, Kryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti, renditi çështjet kryesore të cilat janë të sqaruara në këtë platformë.

Ai tha se nuk do të jenë pjesë e dialogut me Serbinë nëse në përfundim të tij nuk do të arrihet njohja nga shteti fqinj.

“Sot i japim fund spekulimeve se çfarë mund të ketë kjo platformë. Mendoj se me 11 parimet e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi i Kosovës karshi fazës përfundimtare të dialogut. Platforma bazohet komplet në Kushtetutën e Kosovës duke cituar edhe nene sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk ka rend të tretë që qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal. Po ashtu në platformë është e potencuar se resurset që janë në Republikën e Kosovës janë e drejtë ekskluzive e Kosovës. Ky është parimi një pra ne nuk shkojmë në këtë dialog nëse mendojnë se përfundimi i këtij dialogu nuk na qon në njohje”, u shpreh Ahmeti.

Ndërsa, bashkëkryesuesi i Ekipt Negociator, Fatmir Limaj, ftoi deputetët e të gjitha partive që të trajtojnë me seriozitet këtë platformë.

“Sot delegacioni ka kryer pjesën e parë të punës së vet. Bëjmë apel të gjithë deputetëve pavarësisht grupit politik që seriozisht ta trajtojnë këtë platformë tonën. Platforma është e drejtuar në respekt të dy shteteve. Parimet janë ato të cilat garantojnë se dhe në këtë pjesë të rajonit të ndërtohet paqja. Ne jemi kujdesur që të respektojmë interesat e shtetit fqinj edhe fuqishëm t’i deklarojmë interesant e shtetit të Kosovës. Kosova shkon në Bruksel për njohje për asgjë tjetër”.

Platforma për dialogun me Serbinë është prezantuar ditë më parë tek të gjithë liderët institucional dhe e njëjta pritet të miratohet në Kuvend ditëve në vijim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit