Politika në një vit të trazuar, nga çadra te kryeprokurori

Mos i humb

Viti 2017 ishte vit zgjedhor. Por politika u fut në një ngërç që vuri në dyshim mbajtjen normale të zgjedhjeve, që u dekretuan fillimisht më 18 qershor.

Negociatat për reformën zgjedhore dështuan, sepse opozita këmbëngulte për votim dhe numërim elektronik, kurse mazhoranca deklaroi se nuk kishte kohë.

Më 18 shkurt Partia Demokratike nisi një protestë që zgjati 90 ditë. Kërkoi përgatitjen e zgjedhjeve nga një qeveri teknike pa Edi Ramën kyeministër. Kryeministri Rama shkarkoi katër ministra mes të cilëve dhe Saimir Tahirin, që u zëvendësua nga Fatmir Xhafaj.

Gjatë muajve mars-prill si Edi Rama edhe Lulzim Basha mbetën në pritje të lëvizjeve të Ilir Metës. Ilir Meta dhe Edi Rama u takuan në Hotel Tirana dhe ftuan Partinë popullore europiane e djathtë, për ndërmjetësimin e krizës. Në Tiranë mbërriti David Mccallister, por negociatat e 25 prillit dështuan dhe opozita vazhdoi të qëndrojë në çadër.

Pas këtij dështimit të parë, dështuan edhe takimet direkte Rama-Basha në Presidencë. Por paketa McCallister shërbeu për bazë për atë që do të quhej Mccallister + e vendosur në tavolinë më 15 maj nga Hoyt Brian Yee, zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit.

Duhej një “po” ose një “jo” dhe përgjegjësia do të ishte tërësisht mbi palën që do të refuzonte këtë paketë. Partia Demokratike thotë “PO” dhe pritej qëndrimi final i Kryeministrit.

Pasditen e 17 majit në Kryesinë e Kuvendit u mblodhën partitë parlamentare. Të tjerët dolën shpejt jashtë, Edi Rama dhe Lulzim Basha qëndruan 5 orë në negociata.

Nga takimi dolën me një marrëveshje, e cila u negociua gjatë 18 majit. PD mbylli çadrën e saj dhe hyri në qeveri me 6 ministrat teknikë, një zv.Kryeministre dhe disa drejtorë të rëndësishëm. Opozita mori drejtimin e KQZ-së dhe Avokatin e Popullit. U ngritën organet e vetingut, u ashpërsua legjislacioni për krimin zgjedhor, e të tjera masa.

Zgjedhjet u shtynë nga 18 në 25 qershor. Zgjedhjet u mbajtën edhe për Bashkinë e Kavajës, pas shkarkimit të Elvis Rroshit si subjekt i dekriminalizimit. Koalicioni PS-LSI ra. Partitë e majta u regjistruan më vete si subjekte zgjedhore. Opozita u regjistrua nën siglën PD. Basha përfshiu aleatët, por përjashtoi figura të rëndësishme të partisë nga kandidimi si Topalli, Bode, Patozi, Bregu, Imami.

Në fushatë dolën Rama dhe Basha, por pas marrëveshjes vendosi të përfshihej edhe Ilir Meta i zgjedhur President nga Parlamenti që më 28 prill, por që funksionet i mori në korrik. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste me 74 mandate, PD mori 44, LSI 19 dhe PDIU 3.

Në Partinë Demokratike, të përjashtuarit kërkuan dorëheqjen e Lulzim Bashës pas humbjes. Më 22 korrik Basha u rikonfirmua kryetar i partisë Demokratike në një garë me Eduart Selamin. Në mediat u publikuan raste të anëtarëve që votonin më shumë se një herë.

Ilir Meta u betua si President, kurse drejtimin e partisë e mori Monika Kryemadhi, që refuzoi të mbajë rolin e Zonjës së Parë. Në shtator u votëbesua dhe u betua qeveria “Rama 2”. Asnjë post për ish-ministrin e Brendshëm, Saimri Tahiri as në qeveri, as në grup parlamentar.

Pas hapjes së dosjes “Habilaj” në Itali, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit, arrestimin dhe kontrollin e banesës së deputetit socialist nën akuzën për trafik narkotikësh, në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe për korrupsion pasiv.

Socialistët refuzuan kërkesën e prokurorisë për arrestimin. Tahiri humbi edhe postin e koordinatorit për bashkëqeverisjen me qytetarët dhe drejtimin e PS-së së Tiranës. U zyrtarizua fronti opozitar, me bashkëpunimin Basha – Kryemadhi, që kërkon edhe sot një qeveri antimafia.

Visho Ajazi Lika ikën nga kreu i SHISH ambasador në NATO. Presidenti ka lënë pezull propozimin e kryeministrit për emërimin e Helidon Bendos në krye të shërbimit sekret.

Më 7 dhjetor përfundoi mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla. Opozita kundërshtoi caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm sipas dispozitës tranzitore në ligj, edhe pse kjo zgjidhje u mbështet nga misionet OPDAT dhe EURALIUS.

Opozita edhe sot e kundërshton këtë proces si antikushtetues, duke refuzuar ofertën e kryeministrit Rama për një pakt kombëtar për Europën, që do të niste me zgjedhjen konseuale të kryeprokurorit. Më 18 dhjetor socialistët e zgjodhën vetë kryeprokuroren e përkohshme Arta Markun. Opozita paralajmëroi protesta në janar.

Në konferencën e fundit për shtyp për 2017-ën Kryeministri paralajmëroi opozitën se nëse nuk bashkëpunon, socialistët do t’i ngrënë vetë edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Një çështje që shkaktoi debat ishte edhe vota e Shqipërisë në OKB pro rezolutës që dënoi vendimin e presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Kurse në marrëdhëniet me fqinjët, Shqipëria dhe Greqia u angazhuan në bisedime për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, që do të vazhdojnë në janar.

Shqipëria i dha zgjidhje çështjes së varreve të ushtarave grekë dhe Presidenti Meta i dha nënshtetësinë kryepeshkopit grek Anastas të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, kurse Greqia pranoi më në fund se ligji i luftës me Shqipërinë duhet abroguar. Palët janë angazhuar dhe për ndarjen e kufirit detar./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit