Pompeo: Qëllimi në Siri është të krijohet një periudhë post-Asad

Mos i humb

 

 

Drejtori aktual i CIA-s dhe kandidati për sekretar të shtetit në SHBA, Mike Pompeo, u ballafaqua me një breshëri pyetjesh nga anëtarët e Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme pranë Senatit në një seancë konfirmimi të enjten.

Senatorët republikanë dhe demokratë kërkuan të mësojnë mendimet e Pompeos mbi çështje si Rusia, Irani, Siria dhe Koreja e Veriut, si dhe qëndrimin e tij ndaj muslimanëve që jetojnë në SHBA.

Pasi u përball me një grup të vogël protestuesish kundër nominimit të tij në dhomën e dëgjimit për shkak të politikave të tij të kaluara agresive, Pompeo iu përgjigj pyetjeve mbi një numër çështjesh.

Pompeo refuzoi të komentojë mbi zhvillimet më të fundit në Siri, ndërsa tha se qëllimi është të krijohet një periudhë post-Asad dhe të arrihet një zgjidhje diplomatike me qëllim rivendosjen e paqes dhe përfundimin e dhunës.

Pompeo gjithashtu e definoi regjimin e Bashar Asadit si një kërcënim për të drejtat e njeriut, stabilitetin rajonal dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së.

I pyetur nëse presidenti Donald Trump duhet të marrë miratimin e Kongresit përpara se të godasë Sirinë, ai tha se presidenti ka autoritetin të marrë vendimin sipas Nenit 2 të Kushtetutës, i cili përcakton presidentin si komandantin suprem të ushtrisë dhe të marinës.

Duke folur për Rusinë, Pompeo pohoi se arsyeja për sjelljen e saj agresive është për shkak të zbatimit të një politike të butë ndaj Moskës.

Ndërkaq, në krahasim me ish-Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, Pompeo tha se pajtohet me Trump mbi kërcënimin që paraqet Koreja e Veriut.

“Presidenti ka bërë të qartë dhe jam dakord me të se mund të vijë kjo ditë. Mund të vijë dita kur do të shohim një arsenal të armëve bërthamore të afta për të goditur SHBA-në”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje rreth qëndrimit të tij ndaj Koresë së Veriut.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me Iranin, ai tha se ndan pikëpamjet e Trump për “rishikimin” e marrëveshjes bërthamore me Iranin ose tërheqjen nga ajo deri më 12 maj.

Irani ka paguar një çmim shumë të ulët për sjelljen e tij të rrezikshme dhe duhet të bëhen plane afatgjata kundër Iranit, tha Pompeo.

Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit Bob Corker kërkoi sqarime se çfarë do të ndodhë pas tërheqjes së Trump më 12 maj.

“Argumenti juaj është se kjo duhet të ndodhë. Atëherë, a do të bëni pas kësaj përpjekje për të krijuar një marrëveshje më të mirë?”, pyeti Corker.

“Po, senator, presidenti ka deklaruar objektivin e tij. E kam dëgjuar atë duke i thënë paraardhësit tim, Sekretarit Tillerson. E kam dëgjuar duke e thënë atë. Qëllimi i tij është t’i rregullojmë tri mangësi”, u përgjigj Pompeo.

Krahas mendimeve të tij mbi politikën e jashtme të SHBA-së, një nga pyetjet që Pompeo kishte për të adresuar ishte në lidhje me komentet e tij të mëparshme kundër muslimanëve dhe Islamit.

Pompeo argumentoi se ai ka punuar me njerëz që kanë një numër të madh besimesh dhe mendimesh në detyrat e tij të mëparshme dhe tha se nuk e ka diskriminuar askë.

Ndërkaq, dy anëtarët e vetëm muslimanë të Kongresit, Keith Ellison dhe Andre Carson u bënë thirrje udhëheqësve të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit për ta kundërshtuar konfirmimin e Pompeos si sekretar shteti, duke përmendur “diskriminimin dhe historinë anti-muslimane”.

“Kemi nevojë për një sekretar shteti të besueshëm, e jo një njeri që ka histori të sentimentit dhe diskriminimit anti-musliman. Prandaj ju bëjmë thirrje të kundërshtoni konfirmimin e z. Pompeos si sekretar i shtetit”, shkruan Ellison dhe Carson në një letër drejtuar Corker dhe anëtarit të lartë të komitetit, Bob Menendez.

Ndryshe, Pompeo, i cili ka një regjistër të gjatë të deklaratave anti-muslimane, ka marrë pjesë në think-tanke dhe radio-emisione që aktivisht kanë nxitur politika anti-muslimane.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit