Premtimi për komuna të reja në Kosovë: Ramushi po e ndjek shembullin e Thaçit

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Ramush Haradinaj si opozitar ishte jo pak kritik pothuajse ndaj çdo vendimi që merrte Thaçi si kryeministër, por edhe për premtimet që i bënte gjatë fushatave zgjedhore.

Thaçi u kritikua më së shumti nga opozita e shoqëria civile për themelimin e komunave të reja, që në realitet ndodhi të jetë një mashtrim.

Përkundër kësaj, një rrugë të tillë së fundmi ka nisur ta ndjek edhe Haradinaj i cili në shënimin e Ditës së Goranëve në fshatin Brod të Dragashit më 9 maj të këtij viti, banorëve të këtij lokaliteti ju premtoi krijimin e një komune për ta.

Krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku, përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi biseduar për mënyrën e jetesës për temat se çka mund të bëjë qeveria nacionale. Kjo është iniciativë e deputetit të nderuar Adem Hoxha, që është deputet goran në parlamentin e Kosovës dhe kam ardhur këtu me propozimin e deputetit që të informohem për gjendjen dhe proceset këtu” tha Haradinaj.

Ramushi po mashtron si Hashimi…

Por ky premtim i Haradinajt nga opozitarët po shihet i njejtë me të Thaçit.

Avdullah Hoti, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së, në një konferencë për media premtimin e Haraidnajt e quajti mashtrim për komunitetin goran.

Kryeministri po e mashtron komunitetin goran për themelimin e një komune për ta, pa u konsultuar me komunitetin boshnjak atje dhe me shumicën shqiptare në komunen e Dragashit”, tha Hoti.

Ish zv.ministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetlit Lokal (MAPL), Bajram Gecaj i cili ka pritur disa herë në zyrën e tij përfaqësues të fshatrave që kishin marrë premtime nga Thaçi se do bëheshin komuna (si përfaqësues të fshatit Kijevë të Malishevës), premtimin e Haradinajt e sheh një lloj pazari, ndërsa thotë se për komunat e reja duhet të vendos Kuvendi e jo të vendoset për arsye politike e elektorale.

Kryeministri Haradinaj kishte shprehur vullnetin e tij përkrahës për themelimin e një komune të re të Gorës, dhe këtë pa asnjë analizë paraprake profesionale. Është gjithashtu evidente se Lista Serbe kishte kërkuar në vazhdimësi themelimin e dy komunave të reja, Gorës dhe Prilluzhës. Koincidencë apo jo, më 21 mars të po këtij viti, deputeti goran Adem Hoxha kishte ndarë për herë të parë votën e tij nga ajo e Listës Serbe, duke votuar pro ligjit mbi shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, votë kjo pa të cilën nuk do të mund kalonte ky ligj. Nëse këto ngjarje vështrohen dhe analizohen me vëmendje, lidhja në mes tyre bëhet pashmangshmërisht e vetëkuptueshme. Vullneti për komunën e re rezulton, pra, të jetë kryekëput me qëllim dhe për ‘pazare’ politike!”, thotë Gecaj për tesheshi.com.

Ai më tej tregon se përveç Gorës e Prilluzhës, në MAPL janë të dorëzuara edhe 18 kërkesa tjera të komuniteteve të ndryshme të cilat kërkojnë themelimin e komunave të reja në vendbanimet e tyre.

Tani, dilema, shumë lehtë e zgjidhshme, është nëse do të duhej të zgjerojmë pushtetin lokal në 58 komuna, apo të presim rezultatin e një analize profesionale dhe bashkëkohore, e cila do të na orientonte drejt shteteve të avancuara demokratike evropiane dhe standardeve të tyre për vetëqeverisjen lokale. Unë tani nuk do të diskutoj fare për nevojën ose jo të themelimit të komunës së re të Gorës, pasi që kjo do të duhej lënë proceseve të rregullta procedurale e legjislative, dhe tërësisht në duart e eksperteve e të një analize profesionale. Ajo çfarë dua dhe synoj tani konsiston në nënvizimin se Kosova nuk guxon të vazhdojë me themelimin e komunave as për arsyet politike e elektorale të Hashim Thaçit e as për nevojën e mbijetesës dëshpëruese të qeverisë së Ramush Haradinajt. Nëse Gora do të jetë komunë ose jo duhet të vendoset nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe atë vetëm pas përfundimit të projektit profesional e gjithëpërfshirës të fizibilitetit. Nuk duhet, nuk kemi të drejtë dhe nuk guxojmë të lejojmë krijimin e komunave të reja për teket dhe për mbijetesën e asnjërës qeveri. Nuk mund të vazhdojmë të ‘ushqejmë’ qeverinë Haradinaj në dëm të Kosovës”, thotë Gecaj.

Portali tesheshi.com ka kontaktuar edhe me deputetin goran Adem Hoxha për të marrë një përgjigje nëse beson se Haradinaj do ta mbajë premtimin për komunën e Gorës, por ai ka ndërprerë linjen telefonike sapo i është bërë pyetja. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit