Presidenca “bullgare” e BE-së, Borisov kërkon përfshirjen në “Schengen”

Mos i humb

Kryeministri bullgar Bojko Borisov nuk humbi kohë, por e përdori nisjen e Presidencës së BE-së për të kritikuar shtetet anëtare dhe diplomacinë e bllokut.

Kreu i ekzekutivit të Sofjes ishte të enjten në Bruksel për një seri takimesh që shënuan marrjen e frerëve të drejtimit të BE-së për 6 muajt e ardhshëm, e duke folur gjatë një aktiviteti publik të organizuar nga Fondacioni “Hanns Seidel”, fshikulloi anëtarët e Bashkimit Europian me pretendimin se e kanë penguar vendin e tij t’i bashkohet zonës pa kufij të “Schengen”-it.

Bullgarisë dhe Rumanisë iu dha “drita jeshile” nga Komisioni Europian për t’u bërë pjesë e kësaj hapësire në vitin 2010. Por, duke qenë se pranimi duhet të jetë i njëzëshëm, hyrja e tyre është bllokuar nga një grup vendesh, që përfshijnë Francën, Gjermaninë dhe Holandën.

Jo më larg se të dielën, ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Hermann e ngriti zërin sërish kundër përfshirjes së Bullgarisë në zonën e lëvizjes së lirë, me argumentin se zgjerimi i “Schengen”-it nuk mund të bëhet në kurrizin e sigurisë së shtetasve gjermanë.

“Në periudhë afatgjate, anëtarësimi i saj dhe Rumanisë në Schengen nuk është vetëm i dëshirueshëm, por edhe i detyrueshëm. Megjithatë, për momentin ai duhet konsideruar jashtë çdo diskutimi”, ishte deklarata e Hermann për gazetën “Welt am Sonntag”.

Borisov nuk përmendi emra, por u shpreh se Europa duhet t’i japë fund shpikjes së preteksteve për t’ia ndaluar vendit të tij këtë proces, ndërsa e përshkroi Bullgarinë si mbrojtësin më të mirë të kufijve të jashtëm të bllokut.

Kryeministri bullgar ia kushtoi shumicën e fjalës së tij emigracionit, duke theksuar se çështja po e ndante Europën dhe është shkak i “ofendimeve mes ministrave”. Ai rrëfeu se pati ofruar një recetë për zgjidhjen e problemit 3 vite më parë, por askush nuk ia kishte vënë veshin./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit