Presidenti Thaçi në Forumin Ekonomik Botëror

Mos i humb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në “Dialogun Strategjik për Ballkanin Perëndimor- takimi i liderëve”, të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës.

Në një njoftim nga Presidenca thuhet se Thaçi në takimin e liderëve me temë “Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor”, ka folur rreth nevojës për të arritur stabilitet politik, duke e vlerësuar këtë edhe si “çelës” për zhvillimin ekonomik të rajonit.

Presidenti Thaçi ka thënë se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë, përmes dialogut në Bruksel. “Stabiliteti politik prodhon edhe zhvillim ekonomik, prandaj edhe ne po punojmë për arritjen e një marrëveshjeje ndërshtetërore që stabilizon tërë rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke theksuar se “është avantazh që të dyja palët janë në favor të arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe e tërë bashkësia ndërkombëtare, SHBA-ja dhe BE-ja, e përkrahin arritjen e saj”, presidenti Thaçi ka theksuar se “Nuk duhet të paragjykohet rezultati, por të gjithë duhet të jemi unik në përkrahje të procesit të dialogut Kosovë – Serbi”.

“Pjesëmarrësit në këtë takim të mbyllur i përkrahën përpjekjet për të ndërtuar stabilitet politik në Ballkanin Perëndimor, si parakusht edhe për zhvillim, tërheqje të investimeve të huaja dhe rritje ekonomike”, njofton më tej presidenca.

Kujtojmë se në mesin e liderëve të tjerë pjesëmarrës të këtij takimi janë edhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen, ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë Miroslav Lajçak./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit