Prishtinë, mbahet simpoziumi mbarëshqiptar i kirurgëve për fëmijë

Mos i humb

Udhëheqësit e fushave të shëndetësisë në Kosovë, simpoziumin e parë mbarëshqiptar të kirurgëve për fëmijë e kanë konsideruar si transferim të diturive dhe përvojave të mjekëve.

Simpoziumi që mblodhi kirurgë të pediatrisë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Austria, Franca, dhe vende të tjera e institucionalizojnë sipas pjesëmarrësve bashkëpunimin, ngase deri më sot ky bashkëpunim ka qenë individual mes mjekëve, por jo grupor.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Uran Ismaili, tha se ky fillim i krijimit të bashkëpunimit, do të jetë tregues se transferimi i dijeve dhe përvojave do ta bëjnë ndryshimin e cilësisë së shërbimit mjekësor.

“Transferimi i diturisë, transferimi i praktikave më të mira, do të jetë hapi më i madh investim që mund ta bëjmë në sistemin shëndetësor. Nuk janë pajisjet ato që e bëjnë punën sado që janë të nevojshme. Është praktika, dituria e mjekëve tanë të cilët arrijnë dhe mund ta bëjnë dallimin”, tha Ismaili.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tregoi se krahas Kirurgjisë Pediatrike e cila po ndërtohet dhe do të përfundojë në fillim të vitit 2020, simpoziumi do t’i ndihmojë stafit që përpos punës profesionale të ketë mundësi zhvillimi edhe në shkencë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Pleurat Sejdiu, tha se kanë në plan të organizojnë edhe 10 konferenca tjera multidisiplinare, pas përfundimit të konferencës ndërkombëtare në tetor, në të cilin do të marrin pjesë rreth 2 mijë e 500 vetë.

“Filozofia jonë është të shkojmë në kualitet, në ngritje të kualitetit të këtyre punëtorive, kjo është e para që është më specifike dhe në atë drejtim edhe do të shkojmë”, tha Sejdiu.

Profesori i Kirurgjisë Pediatrike në Graz të Austrisë, Emir Haxhija, tha se ardhmëria e kirurgjisë pediatrike është para Kosovës dhe vizioni për këtë çështje është mjaft i mirë.

“Të gjitha themelet janë duke u vendosur. Ndërtimi i Kirurgjisë Pediatrike të re në mes të Pediatrisë dhe Gjinekologjisë, do të thotë vizioni është fantastik dhe ai vizion do të përmbushet si duhet me këto impute që ne po i bëjmë që dikush të ketë vizion si ta bëjë sa më mirë ardhmërinë”, tha Haxhija.

Programi i këtij simpoziumi përfshinë shkëmbim përvojash nga kirurgjia renale, kirurgjinë torakale, abdominale, urologjinë e traumatologjinë. Të gjitha fusha të cilat pritet të aplikohen në klinikën që do të hapet vitin e ardhshëm në Kosovë.

Gjatë simpoziumit u ndanë mirënjohje edhe për mjekët veteranë të kirurgjisë pediatrike në rajon.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit