Prishtinë, përkujtohet poeti i himnit kombëtar turk, Mehmet Akif Ersoy

Mos i humb

Ambasada e Republikës së Turqisë në Kosovë në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre” në Prishtinë sot me rastin e 97 vjetorit të pranimit të himnit kombëtar të Turqisë organizoi programin përkujtimor të autorit të himnit, Mehmet Akif Ersoy.

Programi filloi me një minutë heshtje dhe këndimin e himnit kombëtar të Turqisë e të Kosovës. Pas kësaj, nikoqirja e programit ambasadorja e Turqisë, Kıvılcım Kılıç mbajti një fjalim rasti ku tha se Mehmet Akifi, i cili vjen nga një familje kosovare është një nga vlerat kryesore të përbashkëta mes Turqisë dhe Kosovës.

“Lidhjet mes Kosovës dhe shtetit tonë sigurisht që përmes këtij njeriu të madh, të cilin këto toka shumë vite më parë ia dhuruan kulturës së madhe të njerëzimit janë më të forta dhe më të qëndrueshme. Këto marrëdhënie të palëkundura na nxisin që të ecim me hapa të sigurtë në marrëdhëniet mes shteteve dhe popujve tanë”, tha Kılıç.

Ministri i Administratës Publike të Kosovës si dhe lideri i partisë Demokratike Turke të Kosovës, Mahir Yağcılar tha se “Përpjekja e treguar nga populli turk gjatë Luftës së Çlirimit është një nga shembujt më të mirë të bashkëveprimit, solidaritetit, unitetit dhe bashkimit në histori. Poeti i madh Mehmet Akif Ersoy, i cili ka shkruar për këtë luftë të madhe, me çdo varg të tij është bërë përkthyes i mendimeve dhe të emocioneve tona të përbashkëta”.

Pas fjalimeve programi vazhdoi me sesionin e dytë, ku shefi i degës së Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Isa Memishi dhe shefi i degës së Turkologjisë në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Irfan Morina folën për Mehmet Akif Ersoy për nga dimensionet akademike. Gjatë këtij programi poeti Mehmet Akif Ersoy po ashtu u përkujtua edhe nga pikëpamja e të rinjve.

Në program të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Mamushës Abdülhadi Krasniç, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) Müferra Şinik dhe Fikrim Damka, përfaqësuesit e KFOR-it Turk, Institutit “Yunus Emre”, TIKA-s dhe Fondacionit Maarif në Kosovë si dhe akademikët dhe nxënësit.

Ndryshe, autori i himnit kombëtar të Turqisë, Mehmet Akif Ersoy njihet si “Poeti i Atdheut” dhe “Poeti Kombëtar” i Republikës së Turqisë. Ai lindi më 20 dhjetor të vitit 1873 si fëmija i Emine Şerif Hanım, vajza e një familjeje e cila kishte ardhur në Anadoll nga Buhara, dhe Mehmet Tahir Efendiut, i lindur në Kosovë dhe njëri nga mësimdhënësit në medresenë e Xhamisë Fatih.

Mehmet Akif Ersoy në vitin 1920 u zgjodh si deputet në Kuvendin e Parë të Madh Popullor, ndërsa në vitin 1921 u vendos në Dergjahun e Taxheddinit në Ankara (Taceddin Dergahı). Në fillim, Ersoy nuk mori pjesë në garën për himnin kombëtar për të cilin u vendos shpërblim prej 500 lirash, por u bind më pas me kërkesë të ministrit të Arsimit Hamdullah Suphi Bey dhe motivimin e shokut të tij Hasan Basri Bey.

Himni kombëtar të cilin ia dedikoi ushtrisë, më 17 shkurt u botua në Sırat-ı Müstakim dhe Hakimiyet-i Milliye. Pasi u lexua në Kuvend nga Hamdullah Suphi Bey, më 12 mars të vitit 1921 u pranua si himn kombëtar. Ersoy mori shpërblimin prej 500 lirash dhe i dhuroi si donacion në institucion bamirësie./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit