Prishtinë, prezantohen programet e Universitetit Anadolu për studime në distancë

Mos i humb

 

 

Në një takim të mbajtur në Insitutin Yunus Emre në Prishtinë, dekani i Fakultetit të Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Anadolu të Turqisë, Prof. Dr. Erhan Eroğlu si dhe përfaqësuesja e Universitetit Anadolu në Kosovë, Esen Spahi Kovaç, prezantuan programet e këtij universiteti për studime në distancë në Kosovë.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Komunikimit, Erhan Eroğlu gjatë prezantimit që bëri para nxënësve të shkollave të mesme të Kosovës dhe studentëve të fakulteteve të ndryshme tha se numri i studentëve të Universitetit Anadolu ka arritur në 1 milion e gjysmë në mbarë botën.

Ai tha se ky program i Universitetit Anadolu ka zyrat e veta në secilin shtet të Evropës duke përfshirë edhe Kosovën, Maqedoninë, Bullgarinë, Bosnjë e Hercegovinën, Azerbajxhanin, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç këtyre shteteve, Eroğlu theksoi se në çdo qytet të Turqisë ekziston një zyre e sistemit për Studime në Distancë.

“Mjafton që të keni shumë pak njohuri për gjuhën turke për të studiuar në këto programe”, tha Eroğlu duke theksuar se nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme mund të bëhen pjesë e këtij programi me një provim të thjeshtë të gjuhës turke. Ndërsa, ata të cilët kanë mbaruar studimet mund të regjistrohen për të studiuar edhe një fakultet të dytë në ndonjërën nga degët e programit.

“Ligjëratat i kemi në ueb faqen tonë të incizuara në video format ku mund t’i ndiqni drejtpërdrejt apo t’i shikoni edhe më vonë. Kemi teste të ndryshme ku mund të mësoni dhe kemi dy provime gjatë një semestri për secilën lëndë të cilat mbahen gjatë dy ditëve të vikendit”, tha Eroğlu.

Ai bëri të ditur se ata që kanë mbaruar studimet bachelor mund të vazhdojnë studimet master në disa programe të studimit master në distancë.

Ndërsa, përfaqësuesja e Universitetit Anadolu në Kosovë, Esen Spahi Kovaç tha se studentët mund të aplikojnë në program në zyrën e tyre që ndodhet në Prizren ndërsa ata të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në Prizren mund të aplikojnë përmes postës elektronike të programit. Ajo njoftoi se provimet mbahen në Prizren (Shkolla Fillore “Mustafa Baki”) dhe në Prishtinë (Instituti Yunus Emre) ndërkaq librat dhe e gjithë literatura për lëndët janë në ueb-faqen e sistemit ku studentët mund të hyjnë me një shifër të posaçme.

Në program përfshihen degët dyvjecare si banka dhe shoqëritë e sigurimeve, trashëgimi kulturore dhe turizëm, media dhe komunikim, programim dhe kodim i uebit dhe degët katër vjeçare si sociologji, marrëdhëniet me publikun dhe marketing, histori, gjuhë dhe letërsi turke, ekonomi, administrim publik dhe financa. Kurse degët e tjera katër vjeçare si marrëdhënie ndërkombëtare dhe biznes ndërkombëtar përveç se janë në gjuhën turke janë edhe në gjuhën angleze.

Kujtojmë se studimi në distancë i Universitetit Anadolu është duke u zhvilluar gjatë shtatë viteve të fundit në Kosovë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit