PROBLEMATIKA/ Rama prezaton ecurinë e Rrugës së Arbrit: a po vepron si Berisha me Rrugën e Kombit?

79
0

Kryeministri Rama ka përcjellë këtë mëngjes imazhe nga kantieri i Rrugës së Arbrit, duke i shoqëruar ato me kumtin politik të momentit: “dhe me këto pamje që s’kanë nevojë për koment nga kantieri i Rrugës së Arberit, duke ju siguruar të gjithë se sa më shumë të lehin qentë aq më të frymëzuar e të vendosur jemi për ta bërë Shqipërinë që duam, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan pra shefi i qeverisë.

Është ky i njëjti sindrom rrahgjoksi si i paraardhësit të tij Berisha me Rrugën e Kombit. Edhe ish-kryeministri demokrat e ofronte atë si një mishërim i suksesit të qeverisjes së tij, por që më pas rezultoi një gropë në buxhet, e prej së cilës ajo sot është me pagesë dhe ende e paparfunduar. Njëherësh, ende nuk ka patur pritshmëritë e një impaktit ekonomik, që sipas llogarive të bëra asokohe kur nisi ndërtimi, do mund ta shlyente veten në 10 vjet.

Madje dhe Kukësi vetë e ka patur pothuajse të pandjeshëm ekonomikisht përfitimin nga afrimi me Tiranën nëpërmjet kësaj rruge.

Të njëjtat dilema shqetësuese vlejnë dhe për Rrugën e Arbrit. Ajo po ndërtohet, pritet të jetë dhe e standarteve të larta, por në terma ekonomikë ka pikëpyetjet e veta. Sepse fundi i saj është një asgjëkund. Ajo do afrojë fizikisht afro 20 mijë banorë të Dibrës me Tiranën, por kjo jo domosdoshmërisht përkthehet në impakt ekonomik aq sa për ta përligjur këtë vepër gjigante infrastrukturore.

Me laps të “mprehtë” financiar, vepra të tilla me kosto kaq të madhe nuk mund të ndërtohen për 20 mijë banorë, për më tepër pa potenciale kreativiteti dhe energjie zhvillimore. Është njësoj sikur Rruga e Kombit të kishte patur si pikë fundore vetëm Kukësin, që në finale nuk prodhon dhe nuk i jep ekonomisë kombëtare asgjë. Këtë e tregoi dhe në 10 vjet sa është aktive Rruga e Kombit, që nuk ka mundur ta shfrytëzojë për rigjallërim ekonomik. Pra, i ka të gjitha dhe nuk ka asgjë.

E megjithatë, është Kosova, tregu i saj, më pas dhe ai i serb, që e përligjin në një perspektivë afatgjatë Rrugën e Kombit, qoftë dhe patriotikisht në mos ekonomikisht. Po Rruga e Arbrit?

Nëse kjo rrugë do mbetet me pikë fundore Dibrën, ekonomikisht është një nonsens i pastër. Sigurisht, Rama e di këtë gjersa i kërkon Maqedonisë zgjatimin e saj në territorin e vet. Sepse rrugë të tilla me kosto të madhe, duhet të shoqërohen me marrëveshje rajonale e impakt rajonal. /tesheshi.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here