Promovohet libri “Xhamitë e Shqipërisë”

Mos i humb

Instituti “Yunus Emre” në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe Shtëpinë Botuese “Plejad”, zhvilluan aktivitetin e promovimit të albumit (librit) me titull “Xhamitë e Shqipërisë”, me autor studiuesin Aleksandër Meksi.

Të pranishmit në aktivitet, studiues dhe përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, folën rreth rëndësisë që ka botimi “Xhamitë e Shqipërisë – Historia, Arkitektura, shekulli XV-XIX”.

Në fjalën e tij, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se kjo vepër shërben për t’i dhënë një mendim brezit të ri në lidhje me të kaluarën e përbashkët mes dy vendeve dhe të ardhmen.

“Shteti Osman, në rajonin gjeografik ku sot ndodhet Republika e Shqipërisë ku për gati 500 vjet radhazi ka qenë i pranishëm, ka realizuar punime ndërtimore gjithëpërfshirëse dhe madhështore. Në këtë periudhë, është verifikuar se në Shqipëri si vepra publike dhe vakëfe janë ndërtuar rreth 1.015 monumente arkitekturore. Ndër veprat kryesore të kësaj kategorie mund të përmendim kalatë, urat, pazaret, shkollat, hamamet, hanet, konakët qeveritarë, teqet, tyrbet, kullat e sahateve, shtëpitë shumëdritarëshe në Berat dhe Gjirokastër”, u shpreh Yörük.

Ambasadori Yörük theksoi se Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë punojnë për rikonstruksionin e këtyre veprave “që ne i konsiderojmë si trashëgimi të përbashkët kulturore”.

“Kjo vepër ka cilësinë si libri i parë që flet për historinë, arkitekturën dhe botëkuptimin estetik të xhamive në Shqipëri. Uroj që përveç shqipes kjo vepër të përkthehet edhe në turqisht dhe anglisht, me qëllim që të shndërrohet në një burim me përmasa ndërkombëtare për të gjithë historianët, arkitektët, arkeologët, historianët e artit, apo edhe për lexuesit e tjerë që kanë interes”, u shpreh Yörük.

Ndërsa autori i librit, Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i Shqipërisë, në fjalën e tij tha se libri mbi Xhamitë e Shqipërisë është ripunimi, plotësimi, përmirësimi i një botimi të mëparshëm me të dhëna më të plota dokumentare, me ilustrime më të shumta, sipas tij, në dobi të njohjes më të mirë të kësaj trashëgimie të rëndësishme në lëmin e arkitekturës.

“Ndërtimet e kultit musliman me shumëllojshmërinë e tyre, zënë vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së Mesjetës së Vonë (shek. XV-XIX). Ato ngrihen në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët gjatë këtyre shekujve, si dëshmi të qarta të një periudhe të historisë tonë dhe të ndërtimeve në veçanti. Me studimet është arritur të njihen më mirë dhe kontributi i arkitektëve dhe ndërtuesve shqiptarë, si në atdheun e tyre ashtu dhe në qendrat e Perandorisë Osmane”, theksoi Meksi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili tha se veprat që mund t’i lënë të ardhmes janë librat.

“Sot në momentin që mundohemi të kërkojmë një dokument që na duhet për t’u informuar, kërkojmë librat që janë shkruar para 100 vjetësh. Kjo tregon që është trashëgimia më e madhe që u lihet të rinjve tanë”, tha Demirbaş.

Libri në gjuhën shqipe i cili trajton arkitekturën e xhamive në Shqipëri është botuar nga Shtëpia Botuese “Plejad”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit