Promovohet programi “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”

28
0

Në Shkup ka filluar konferenca rajonale për promovimin e Programit të Përbashkët të Bashkimit Evropian (BE) dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”.

Në konferencën rajonale të pranishëm ishin përfaqësues të shumë institucioneve dhe organizatave joqeveritare nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nga Turqia, përfshirë edhe zv/ministrin e Drejtësisë së Turqisë, Şaban Yılmaz.

Në hapjen solemne të konferencës, fjalim hyrës kishin ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, Verena Taylor nga Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve pranë Këshillit të Evropës si dhe Colin Wolfe, drejtues sektori pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisioni Evropian.

Ministri Dimitrov tha se ky program i përbashkët është gjithnjë e më i rëndësishëm, pasi u jep mundësi shteteve që të detektojnë sferat ku kanë nevojë për mbështetje të mëtutjeshme.

“Është e rëndësishme që programi i përbashkët i ‘Instrumentit horizontal II’ bazohet në tashmë fazën e parë të përfunduar me sukses dhe se e njëjta zgjerohet në mënyrë shtesë në sferat e identifikuara për reforma të mëtejme dhe mbështetje”, tha Dimitrov, duke përmendur disa nga arritjet e fazës së parë të programit.

Drejtoresha Verena Taylor në fjalën e saj tha se vlerat e Këshillit të Evropës janë po aq të rëndësishme sikur në kohën kur u themelua kjo organizatë, duke shtuar se edhe bashkëpunimi ndërmjet vendeve-anëtare janë shumë të rëndësishme për qytetarët.

“Cila është porosia kryesore që Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian ua japin me ‘Instrumentin horizontal’? Mendoj se porosia kryesore është se ne kujdesemi! Ju jenë të rëndësishëm! Dhe së dyti, për shkak se ju jeni të rëndësishëm, ne i kombinojmë mjetet tona më të mira për të mbështetur proceset tuaja reformuese dhe rrugën tuaj drejt integrimit evropian’, tha Taylor.

Colin Wolfe tha se në krahasim me fazën e parë, janë avancuar angazhimet, si dhe është rritur buxheti, duke theksuar se janë në dispozicion mbi 40 milionë euro, në krahasim me fazën e parë kur buxheti ishte 25 milionë euro.

Gjatë fjalimeve hyrëse u tha se programi ka për qëllim që të mbështesë reformat në katër sfera, edhe atë: Sigurimi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër diskriminimit dhe liria e shprehjes dhe media. Në kuadër të konferencës rajonale, në secilën nga këto sfera do të organizohen seminare tematike.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here