Protesta e së shtunës e Vetëvendosjes: a është dhe test i Albin Kurtit pas ikjeve të bujshme në parti?

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Vetëvendosje u rikthehet protestave në rrugët e kryeqytetit të shtunën, kësaj here jo për të kërkuar rrëzimin e qeverisë siç bënte vitet paraprake, por për të ndalur Thaçin, siç thonë nga pazaret që po dëshiron t’i bëjë me territorin e shtetit dhe përmes saj të nxjerrnin një fotografi që do i dëshmonte ndërkombëtarëve se populli është kundër idesë së presidentit.

Për dallim nga protestat e kaluara, vetëvendosësit këtë herë janë deklaruar shumë paqësorë, ku përveç se shprehen të bindur se protesta në asnjë rrethanë nuk do të eskalon (veç nëse ndodh kjo do jetë skenar i pushtetit), zyrtarë të saj si kurrë më parë kanë zhvilluar takim me drejtuesit e policisë për të biseduar për rrjedhën e protestës.

Këtë protestë befasisht do e përkrahin edhe deputetë të LDK-së së Isa Mustafës, e cila parti u akuzua jo pak nga VV-ja se po dëshiron t’i falë territor Malit të Zi në mandatin e kaluar, ku protestat eskaluan në dhunë dhe u sulmua edhe fizikisht ish-kryeminsitri Mustafa, brenda dhe jashtë Kuvendit.

Ndërsa Kurti nuk ka ftuar ish-shokët e idealit, tash zyrtarët e Partisë Socialdemokrate në krye me Shpend Ahmetin, me të cilët organizuan disa protesta.

Dhe PSD-istëve sikur ju ka ngelur hatri për mosftesën e marrë nga ish-shokët e tyre, çka tash akuzojnë se Kurti protestën e 29 shtatorit nuk po e organizon vetëm për të ndalë Thaçin, por edhe për të matur forcën e tij aktuale politike.

Kjo protestë më shumë po tingëllon si protestë për individin se jo e VV-së. Kurti po do me e pa se ku është”, tha Ahmeti në emisionin “Pressing” në Televizionin 7.

Më tej tha se nuk din arsyet e protestës, ndërsa shtoi se partia që ai drejton preferon Kuvendin por nuk përjashton protestat në të ardhmen.

Edhe njohësit e rrethanave politike, protestën e shohin si një matje që VV po dëshiron t’i bëjë vetvetes.

Analisti politik, Shemsi Jashari, pohon se protesta e VV-së aq sa është e drejtuar kundër veprimeve të presidentit Thaçi, është një test të cilën drejtuesit e këtij subjekti duan ta bëjnë për fuqinë e tyre pas ndarjes në dysh të saj.

Protesta do të jetë  një test edhe për ndikimim e PSD-së, pasi ajo nuk mbështet këtë protestë dhe do të vërehet sa e ka dëmtuar VV-në, mungesa e figurave të larguara që tani janë pjesë e PSD-së. Nëse nesër do të ketë një numër të vogël të pjesëmarrësve në protestë, terthorazi do të jetë argument se qytetarët nuk janë kundër inciativave të z.Thaçi për korigjim të kufirit me Serbinë, argument i cili do të përdoret nga presidenti për të arsyetuar idetë e tija”, thotë Jashari për tesheshi.com.

Përkundër se protestën e së shtunës nuk e ka përkrahur LDK-ja, disa deputet të saj si Haxhi Avdyli dhe me gjasë edhe Vjosa Osmani do të marrin pjesë. Mbështetës tjetër i kësaj proteste do të jetë edhe deputeti i pavarur, Korab Sejdiu, i cili u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin masovikisht.

Kujtojmë se Vetëvendosje për protestën e thirrur më 29 shtator (e shtunë) në orën 14:00 ka zhvilluar takime me qytetarët e Kosovës, me të cilët ka diskutuar për “aventurat e rrezikshme të presidentit Thaçi”.

Sipas VV-së, presidenti Thaçi kokë më vete, pa autorizim e pa legjitimitet ka folur në emër të Republikës. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit