Protesta edhe në Durrës, studentët e “Aleksandër Moisiut” kundër tarifave

Mos i humb

Protesta studentore që nisi nga studentët e Tiranës e ka zgjeruar gjeografinë e përhapjes së saj edhe në qytetin bregdetar të Durrësit.

Dhjetëra studentë të Universitetit publik “Aleksandër Moisiu” janë ngritur në protestë për përgjysmimin e tarifave universitare, heqjen e tarifave shtesë dhe anulimin e VKM-së për provimet përsëritëse, si dhe përmirësimin e kushteve në ambientet universitare.

Me parulla dhe thirrjen “Ulni tarifat!”, studentët protestues ftuan për një përfshirje më të gjerë të studentëve në këtë protestë, në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Ata kërkuan të mos favorizohen universitetet private, përmes aplikimit të tarifave të larta, ndërsa i kanë kujtuar kryeministrit se ata nuk janë ngelës, por të rinj që përpiqen të arsimohen sa më mirë, edhe pse ndonjëherë me parà të marra borxh për të mbuluar tarifat e papërballueshme nga një pjesë e familjeve të tyre.

Tarifat e studimit në “UAMD”, universitetin më të ri në vend që u hap në tetor të vitit 2006, variojnë në bazë të ciklit të studimit. Ndërsa tarifa vjetore për “Bachelor” është fikse 25 mijë lekë, për programet “Master Profesional” llogaritet me vlerën e 10 mijë lekëve për kredit, duke variuar në bazë të degës së studimit deri në 90 mijë lekë.

Ndërkohë, për “Masterin Shkencor” tarifa llogaritet me vlerën e 12 mijë lekëve për kredit. Pra çdo student i këtij cikli studimesh duhet të paguajë 144.000 lekë, ndërsa ata të Fakultetit të Shkencave Politike Juridike duhet të paguajnë 150.000 për studimet në ciklin “Master Shkencor”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit