PSD: Paga minimale më e ulëta në rajon, shteti ka harruar punëtorët e sektorit privat

Mos i humb

Partia Socialdemokrate(PSD) ka organizuar tryezën “Pagë për të Jetuar” në të cilën u diskutua për gjendjen e sektorit privat përpos pagës minimale.

Paga minimale prej 170 euro është më e ulëta në rajon, tha nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, i cili shtoi se kjo i lë punëtorët nën pragun e varfërisë.

“Paga minimale duhet të jetë debat politik dhe shoqëror e cila është e rëndësishme dhe që prekë secilin individ si dhe ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit. Nga analizat e bëra është evidente që paga minimale është më e ulëta në rajon, 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë. Kjo pagë nuk e mbulon as për së afërmi minimumin e nevojshëm për jetë. Paga minimale aktuale i lë punëtorët nën pragun e varfërisë”, u shpreh Imeri.

Ai me tutje deklaroi se punëtorët që paguhen me nivelin e pagës minimale janë lërë anash nga shteti, derisa punëtorëve publike iu rritet niveli i pagës për të tretën herë.

“Pagat publike janë rritur për tre herë vetëm përgjatë periudhës 2011-2018. Ndërsa punëtorët që paguhen me nivelin e pagës minimale janë harruar krejtësisht nga shteti. Paga minimale është kompetencë thelbësor e sistemit të mbrojtjes sociale të një vendi që ka qëllim ta reduktoj varfërinë dhe ta rrisë drejtësinë shoqërore”, tha ai.

Ndërsa deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, tha se gruaja në Kosovë është e përjashtuar nga jeta shoqërore ekonomike.

Sipas saj, 80.7% e grave në vend nuk janë duke kërkuar punë për shkak të gjasave të vogla për t`u punësuar.

Baftiu kërkoj që institucionet e Republikës të krijojnë mekanizmat për respektimin e të drejtave të punëtorëve.

Ndryshe, PSD ditë më parë ka paraqitur kërkesë për një interpelancë në Kuvendin e Kosovës, në të cilën do të diskutohej për pagën minimale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit