Dhjetëra protestues kanë vazhduar të protestojnë edhe sot nga ora 6:30 para hyrjes së minierës Trepça në Stantërg, në shenjë pakënaqësie me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.
“Ne si këshill organizativ i bëjmë apel Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ndërmarrjes Trepça, që kërkesat tona të merren parasysh më seriozisht. Përndryshe, nga e marta, nëse nuk merren masa të duhura ndaj kësaj padrejtësie që na është bërë, protestat do të eskalojnë, munden me qenë edhe të dhunshme. Ju bëj apel me ndërmarr diçka, ndryshe eskalon situata”, ka thënë Musa.
Protestuesit të cilët kanë hyrë në ditën e pestë të protestës së tyre, janë duke kërkuar dorëheqjen e menaxhmentit, shkarkimin e bordit, si dhe anulimin e konkursit. Ndryshe, protesta po zhvillohet e qetë dhe pa ndonjë incident, ndërsa vërehet numër i shtuar i pjesëtarëve të policisë, duke përfshirë edhe njësitin për intervenim të shpejtë, të cilët po e vëzhgojnë situatën nga afër.