Putin mesazh bashkëpunimi Lidhjes Arabe

 

 

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se pas disfatës së DEASH-it në Siri dhe Irak, me Lidhjen Arabe mund të ndihmojnë për procesin e zgjidhjes politike dhe të ristrukturimit në rajon.

Sipas një deklarate nga Kremlini, Putin ka publikuar një mesazh me rastin e samitit 29-të të Lidhjes Arabe që mbahet në Arabinë Saudite.

Duke kujtuar se takimi po mbahet kur Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut po kalojnë në një periudhë të vështirë, Putin tha se konfliktet e armatosura në Siri, Irak, Libi dhe Jemen vazhdojnë të marrin jetë. Putin theksoi se këto vështirësi kërkojnë përpjekje kolektive, të koordinuara të komunitetit ndërkombëtar dhe se është rritur kërkesa për struktura shumëpalëshe si Lidhja Arabe.

“Ne së bashku mund të ndihmojmë në përshpejtimin e proceseve të zgjidhjeve politike dhe të ristrukturimit në Siri dhe Irak dhe mund të ndihmojmë në zgjidhjen e çështjeve jetësore në kushtet që lindin pas disfatës së forcave kryesore të DEASH”, tha Putin, duke theksuar se Rusia është gati për bashkëpunim me Lidhjen Arabe për sigurinë rajonale.

Pasi ka theksuar se duhet të vazhdohet lufta kundër grupeve terroriste nën respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve arabe, Putin është shprehur: “Normalizimi në afat të gjatë në Lindjen e Mesme është i pamundur pa zgjidhjen e problemit palestinez. Pozicioni i Rusisë është i pandryshuar. Të gjitha çështjet që lidhen me territoret palestineze, duke përfshirë edhe çështjen e Kudsit, duhet të zgjidhen brenda kuadrit të negociatave të drejtpërdrejta Palestinë-Izrael, bazuar në rregullat universale ligjore, duke përfshirë vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe me përfshirjen e iniciativës paqësore arabe të Lidhjes Arabe”.