Putin: Rusia nuk e ka shkelur marrëveshjen bërthamore

Mos i humb

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se nuk ka ndonjë dëshmi se Rusia ka shkelur Marrëveshjen për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).

Putin në një deklaratë për media foli në lidhje me akuzën e SHBA-ve se Rusia ka shkelur INF-në. Me këtë rast Putin tha se është vonuar deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në lidhje me çështje.

“Pala amerikane fillimisht njoftoi se do të tërhiqet nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, më pas filloi që të kërkojë arsyetime se pse është e nevojshme të bëjnë një gjë të tillë. Dhe, si arsye themelore u tha se e ‘kemi shkelur këtë marrëveshje’. Por, ashtu si gjithmonë, nuk tregohet ndonjë dëshmi se kjo marrëveshje është shkelur nga ana jonë”, tha presidenti rus.

Ai vuri në dukje se Kongresi Amerikan ka ndarë më parë paratë e nevojshme për zhvillimin e raketave të përshtatshme pas INF-së. “Vendimi ishte dhënë që moti në mënyrë të heshtur. Menduan se ne nuk do ta vërejmë këtë. Këto raketa po zhvillohen me buxhetin e Pentagonit. Por, këto do të dalin në shesh pasiqë kjo do t’i deklarohet opinionit publik. Si hap tjetër, duhej që të akuzohej dikush. Padyshim se fajtori më i thjeshtë dhe më i njohur për Perëndimin është Rusia. Kjo nuk është kështu, ne jemi kundër shkeljes së kësaj marrëveshjeje. Nëse kjo ndodh, ne do të japim një përgjigje të përshtatshme kundër kësaj”, tha Putin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një deklaratë pas takmit të ministrave të Jashtëm të NATO-s deklaroi se Rusisë i kanë dhënë 60 ditë për përmbushjen e zotimeve që burojnë nga INF-ja. “Rusia po bën hile në lidhje me çështjen e zotimit të inspektimit të armëve. Nuk ka mbetur ndonjë kuptim për SHBA-të që të mbetet në këtë marrëveshje”, tha Pompeo.

Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme e cila ka për qëllim mbrojtjen e aleatëve në Evropë dhe në Lindjen e Largët u nënshkrua në vitin 1987 në Washington mes SHBA-ve dhe Rusisë. Marrëveshja ndalon që Rusia dhe SHBA-të të blejnë, prodhojnë apo testojnë raketa me rreze 300-3400 milje që lëshohen nga toka. SHBA-të shpesh e akuzonin Rusinë për shkelje të kësaj marrëveshjeje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit