Pyetje: Cila lutje është më e mira për me na heqë mërzinë, jemi shumë të mërzitur?

Mos i humb

Pyetje: Cila lutje është më e mira për me na heqë mërzinë, jemi shumë të mërzitur?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Jeta në këtë botë është sprovë, prandaj çastet që i përjetojmë këtu mund të jenë të lumtura dhe të gëzueshme por gjithashtu mund të jenë çaste të pikëllimit, të mërzisë dhe të brengave. Allahu jua lehtësoftë juve dhe gjithë besimtarëve mërzitë dhe ju shpërbeftë për durimin që bëni. S’ka dyshim se i Vetmi që ka mundësi t’i bëjë zemrat tona të lumtura dhe të hareshme është Krijuesi jonë. I Dërguari, sal-lallahu alejhi ue selem na mësoi disa prej lutjeve kur të jemi në brenga, të mërzitur apo të pikëlluar, por që lutja më e mirë është:

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:

“Çdoherë që robin e kaplon një mërzi apo pikëllim dhe ai thotë: ‘ALLAHUMME INNI ABDUKE IBNU ABDIKE IBNU EMETIKE, NASIJETI BIJEDIKE, MADIN FIJE HUKMUKE, ADLUN FIJE KADAUKE, ESELUKE BIKULI ISMIN HUVE LEKE, SEMMEJTE BIHI NEFSEKE, EU ENZELTEHU FI KITABIKE, EU ALEMTEHU EHADEN MIN HALKIKE, EU ISTE’THERTE BIHI FI ILMIL GAJBI INDEKE, EN TEXH’ALEL KURANE RABIA KALBI, UE NURA SADRI, UE XHELAE HUZNI UE DHEHABE HEMMI’ Allahu gjithsesi do t’ia largojë mërzinë dhe në vend të pikëllimit do ta gëzojë”.

Njerëzit thanë: Ia vlen që t’i mësojmë këto fjalë? Sigurisht, këto fjalë duhet t’i mësojë ai që i dëgjon – tha Pejgamberi. (Sahih Ibën Hiban nr. 972, Shuajb Arnauti thotë se zinxhiri i këtij hadithi është i saktë)

Përkthimi i lutjes është: O Allahu im, unë jam robi Yt, i biri robit Tënd dhe i biri i robëreshës Tënde, balli im është në dorën Tënde, vendimi Yt mbi mua kalon, gjykimi Yt mbi mua është i drejtë. Të lus me çdo emër që ke, me të cilin e ke emërtuar Vetveten, ose e ke zbritur në Librin Tënd, ose ia ke mësuar dikujt nga krijesat, ose e ke mbajtur të fshehur në diturinë Tënde që Kuranin ta bësh pranverë të zemrës sime, dritë për gjoksin tim, heqje të pikëllimit dhe largim të mërzisë.

Përveç lutjes duhet t’i ndihmojmë vetes edhe me pendim nga të këqijat, lexim të Kuranit, zbatim të farzeve, largim nga haramet e pastaj do të shohim nga Allahu atë që na kënaq zemrën dhe syrin që në këtë botë, ndërsa shpërblimi në botën tjetër është edhe më i madh.

Omer Berisha

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit