Qeveria e Ministria e Financave, në kundërshtim për Ligjin e mësimdhënësve të viteve të 90′

Mos i humb

Projektligji për Mësimdhënësit e viteve të 90′ tashmë është dërguar në Kuvend.

Në mbledhjen e qeverisë ku u vendos për këtë çështje, ministri i Financave, Bedri Hamza, votoi kundër, kurse edhe tre ministra tjerë abstenuan.

Shefi i kuletës së shtetit, Bedri Hamza kishte deklaruar se ky ligj ka kosto shtesë për miliona euro. Duke theksuar se është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike.

“Ky ligj në tërësinë e tij mund të ketë kosto shtesë buxhetore qindra milona euro për buxhetin e Kosovës, dhe nuk po kufizohem vetëm në tri vjet.

Ky ligj është jo në përputhje të plotë me nenin 26 të ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Është në kundërshtim me nenin 18.5 të Ligjit për buxhetin për vitin 2018 ku thuhet se ‘asnjë ligj apo projektligj nuk mund të procedohet në Qeveri apo në Kuvend për miratim nëse nuk zgjidhet çështja e implikimit finaciar të vitit 2018”, kishte deklaruar Ministri Hamza gjatë mbledhjes së qeverisë.

E për këtë projektligj kishte reaguar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke kërkuar që ky ligj të tërheqet prapa.

Ministria e Financave në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se FMN-ja ka ngritur shqetësime për këtë ligj, e të cilat Hamza i ka paraqitur në qeveri.

FMN-ja veç ministrisë së Financave, ka komunikuar edhe me ministrinë e Arsimit.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) sikur që komunikon me Ministrinë e Financave komunikon edhe me Ministritë tjera në këtë rast Ministrinë e Arsimit. Ministria e Financave ka analizuar ligjin dhe të gjitha komentet e Ministrisë së Financave, Ministri i ka paraqitur në kabinet qeveritar ku janë edhe procesverbalet e arkivuara”, thuhet në përgjigje.

Nga përgjigja kuptohet se ministri Hamza nuk ka ndryshuar qëndrim. Dhe në këtë kohë, nuk ka ndonjë gjë tjetër për tu thënë.

“FMN-ja në takime të rregullta ka shfaqë shqetësimin e tyre për këtë ligj, për çka ne e kemi përcjell bashkë me komentet tona në mbledhjen e Qeverisë. Dhe tani dihet publikisht qëndrimi i Ministrit për këtë çështje. Ky është qëndrimi i Ministrisë së Financave në këtë kohë për këtë projektligj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Deklarata e tillë nga kjo ministri vjen pasi Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte thënë për lajmi.net se kostoja prej mbi 16 milionë eurosh mund të përballohet nga buxheti i Kosovës.

“Sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave, departamentit të buxhetit, ligji në fjalë ka kosto buxhetore për tri vjet së bashku 16.757.000 euro (periudha 2018-2020). Kjo kosto nuk është për injorim, por kundrejt një kategorie specifike, siç janë punëtorët e arsimit shqip në vitet ‘90-ta, meritojnë një trajtim adekuat dhe duhet të përballohet nga buxheti”, thuhej në përgjigjen e qeverisë së Kosovës.

Pra, nga dy deklarimet, vërehet një kundërshti publike ndërmjet Qeverisë dhe Ministrisë së Financave.

Ndryshe procedimi i Projektligjit për Mësimdhënësit e viteve të 90-ta për në Kuvend, erdhi në afatin final para se të gjitha institucionet arsimore në Kosovë të shkonin në grevë të përgjithshme./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit