Qeveria kritikon OEK-un për mosorganzim të Panairit në Qendrën që kushtoi 4 milionë, por në hotel

Mos i humb

Ndonëse është ndërtuar për mbajtjen e panaireve, Qendra e Panaireve nuk është duke u shfrytëzuar. Panairet tash më shumë po mbahen nëpër hotele sesa në këtë Qendër e cila gjendet në fshatin Bërnicë.

Një i tillë është mbajtur më 3 dhe 4 dhjetor nga Oda Ekonomike e Kosovës e ndihmuar edhe nga Qeveria.

Panairi i Agrobiznesit “Shporta jonë”, është mbajtur në një hotel në periferi të Prishtinës, e jo në Qendrën e Panaireve, ndërtimi i së cilës buxhetit të shtetit i ka kushtuar rreth 4 milionë euro.

Zyrtarë të Qeverisë kërkojnë nga zyrtarët e Odës përgjegjësi për mënyrën e organizimit të panaireve. Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri tha për KosovaPress se Qeveria nuk e ka mbështetur Odën me mjete financiare për panair, por tha se OEK-u duhet të japë përgjegjësi ndaj bizneseve për mënyrën e shpenzimeve financiare lidhur me organizimin e panaireve.

Shatri shtoi se Qendra e Panaireve është ndërtuar për bizneset dhe duhet të shfrytëzohet ajo.

“Le të japin llogari para organeve të veta për shpenzimet që i bëjnë. Nëse ju kushton ajo me organizuar në ‘Emerald’, që sigurisht se ka kosto, sepse ata nuk punojnë për shpirt. OEK le të arsyeton shpenzimet e veta, para organeve të veta, që i bie para anëtarësisë së vet. Anëtarësia paguan te Oda një shumë për të cilën pret me marr shërbime në favor të vetin… Qeveria nuk e ndihmon financiarisht, por e mbështet për aktivitetin që është në interes të shtetit dhe bizneseve”, ka thënë Shatri.

Në lidhje me mbajtjen e panaireve nëpër salla të hoteleve e ka një arsyetim kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi. Ai tha se arsyeja pse panairi “Agrobiznesi” është mbajtur në hotel e jo në Qendrën e Panaireve është për një promovim më të mirë të produkteve, në kushte më të mira.

“Pse? Është natyrë tjetër e panairit. Tentojmë, me mbajt në një format më të vogël më selektiv dhe kjo është arsyeja kryesore. Ndërsa, në Qendrën e Panaireve, një panair i tillë, ku nuk ka shumë ekspozim e humb efektin e vet. Ka kosto të mëdha me mbajt (në qendrën e panaireve), janë kostot e ngrohjes. Janë pastaj kostot e mirëmbajtjes, prandaj, mbi këtë bazë ne kemi vendosur me mbajt më 3 dhe 4 dhjetor në Emerald, që edhe të vizitohet më shumë, edhe të ketë një promovim më të mirë të produkteve dhe të sigurohen kushte më të mira të promovimit”, ka thënë Rukiqi.

Biznesmeni Shaqir Palushi ka thënë se përveç se po organizohen në vende jo të duhura kanë edhe kosto të lartë. Ai mendon se duhet të reduktohen këso lloj panairesh sikur në vendet evropaine.

“Gjithsesi mendoj që duhet reduktuar numri i panaireve në Kosovë, sepse neve na rastis të shkojmë shumë shpesh jashtë dhe në vendet siç është Gjermania, panairet e tilla nuk mbahen çdo vit. Nuk janë të përvitshëm, kurse në Kosovë ndodhë që të organizohen panaire çdo katër-pesë muaj, dhe sigurisht që bie interesimi edhe i kompanive për të ekspozuar, por edhe i kompanive të tjera për të vizituar këto panaire”, ka thënë Palushi.

Oda Ekonomike e Kosovës, çdo vit panairin Agroindustrial e kishte mbajtur në shtator por sivjet e ka ndryshuar muajin dhe edhe forma e organizimit.

“Panairi i rregullt mbahet në muajin prill, ndërsa atë të shtatorit, tash e kemi ri-brendu, me tematikë ‘Shporta jonë’ do të fokusohet vetëm me prodhime vendore”, tha Rukiqi.

Ndryshe, më 10 dhjetor 2009 kishte filluar ndërtimi i Qendrës së Panaireve të Kosovës në Bërnicë të Poshtme në parcelën me sipërfaqe prej katër hektarësh të ndarë nga komuna e Prishtinës. Ndërsa, në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të Qendrës së Panaireve në Bërnicë të Poshtme, të Prishtinës, pati marr pjesë edhe Berat Rukiqi në cilësinë e sekretarit të Odës Ekonomike të Kosovës, i cili kishte vlerësuar se Qendra e Panaireve është e rëndësishme për bizneset.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit