Rama, në Fier me drejtuesit vendorë: Bashkëqeverisim me qytetarët

Mos i humb

 

 

 

Kryeministri Rama dhe kabineti qeveritar kanë qenë në një takim me drejtuesit qendrorë e vendorë të Qarkut të Fierit, për punësimin, shërbimet dhe reformën e tokës. Ai vuri theksin te platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët, që sipas tij ka pasur një sukses në zgjidhjen e padrejtësive ndaj tyre.

 “Dua që ta nis me shërbimet, me objektivin për t’i çuar ato në një nivel krejt tjetër dhe me një sërë vështirësish që ne hasim në këtë aspekt, pasi ende në zyrat e shërbimeve administrative ka parazitë dhe grabitqarë që janë mësuar të shfrytëzojnë detyrën dhe mundësinë që u jep ajo për të përfituar në dëm të interesit dhe të drejtave të qytetarëve”, deklaroi në hyrje Rama.

“Një nga pikat e rëndësishme strategjike është nxitja e vazhdueshme e njerëzve për të bashkëvepruar me qeverinë përmes platformës së bashkëqeverisjes ‘Shqipëriaqëduam.al’. Historia e deritanishme e saj na tregon qartësisht se në shumë raste komunikimi ndaj qytetarëve është tërësisht abuziv”, vijoi më tej Rama.

Nevoja për titujt e pronësisë dhe të legalizimit është shumë e madhe, sipas kryeministrit, teksa platforma ka nxjerrë në pah padrejtësitë që u bëhen qytetarëve.

“Në këtë proces është shprehur vullneti ynë që për çdo rast kur qytetari ka të drejtë, e atë që s’e ka marrë për vite të tëra e merr brenda 10 ditësh, ne nuk ndalemi me kaq por evidentojmë shkaktarët duke i larguar nga puna dhe duke i çuar edhe në ndjekje penale. Sot janë mbi 80 raste largimesh nga puna në hipotekë, për shkak të ankesave të qytetarëve. Sigurisht edhe një numër i konsiderueshëm masash paralajmëruese për drejtuesit e hipotekave. Vonesat, zvarritjet e mosdhënia e shërbimeve janë në radhë të parë përgjegjësi e tyre, e nuk mund të fshihen pas një punonjësi. Qytetarët duhet të marrin mesazhin se nuk është e nevojshme të humbasin kohë për të gjetur zgjidhje në forma të ndryshme, mjafton të drejtohen në platformën e bashkëqeverisjes”, deklaroi më tej kryeministri.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Fierit, në fjalën e tij u ndal në dy problematika sa i takojnë këtij qyteti, që janë certifikimi i tokave bujqësore dhe reforma e ujit.

“Dy probleme i takojnë Bashkisë së Fierit. Së pari më lejoni të flas për procesin që kemi nisur dy vite më parë që ka të bëjë me një plagë të madhe sidomos në fshat, si certifikimi i tokave bujqësore. Një histori shumëvjeçare në Shqipëri, për të cilën ne kemi ngritur një zyrë të posaçme që pret fermerët që plotësojnë apo dorëzojnë dosjet e tyre. Kemi identifikuar 10 fshatra në projektin pilot, për zgjidhjen e problemit të bartur ndër vite, e gjykuam se kjo histori mund të zgjidhet duke e marrë sipas zonave kadastrale. Jemi shumë pranë prodhimit të certifikatave për fshatin e parë, e brenda 2-3 javësh do të prodhohen e shpërndahen certifikatat. Ky proces i parë na mësoi të gjithëve për ato që duhet të riparonim, e këtë proces do ta vazhdojmë me intensitet të plotë. Një moment i dytë ka të bëjë me reformën e ujit. Aksioni që ka filluar në gjithë Shqipërinë, e kemi bërë hapa të rëndësishëm së bashku me Ndërmarrjen e Ujësjellësit, përfshi këtu lidhjet e paligjshme të këputura, numrin e sahatëve të rinj të vendosur, kontratat e reja të nëshkruara etj. Nga ky moment e tutje nuk do të akumulohen më borxhe, por me të ardhurat që mbledh do të përballohen shpenzimet operative. Ne si bashki vetëm në dy vitet e ardhshme do të ofrojmë 160 mln lekë në ndërtimin e dy ujësjellësave të rinj, që do të rrisin numrin e abonentëve dhe cilësinë e furnizimit, sidomos në zonat rurale, ku ekziston më i theksuar problemi i abuzimit dhe shpërdorimit të ujit”, deklaroi kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit