Rama: Shqipëri dhe Kosovë, diasporën ta adresojmë si një

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në Vlorë për Pavarësinë e vendit tha se Shqipëria dhe Kosova kanë një diasporë dhe do e trajtojnë si të tillë.

Duke folur për mbledhjen e dy qeverive në Korçë një ditë më parë, ai tha se për herë të parë po i kushtohet vëmendje e veçantë diasporës.

“Diaspora shqiptare është një nga historitë më të mëdha të suksesit të vendit tonë për rolin kryesor që ka luajtur. Për herë të parë për diasporën një vëmendje e posaçme, duke i dhënë kësaj pjese vitale dhe vëmendjen e strukturave të dy qeverive tona për t’i adresuar specifikisht së bashku çështjet dhe shqetësimet e saj. Besoj se ia vlen të theksohet se së bashku dje në Korçë kemi vendosur që çështjen e diasporës ta shohim si një, dhe ta adresojmë si një. Duke nisur që nga nevoja për regjistrimin e plotë të Diasporës dhe realizimin e të drejtës së shqiptarëve jashtë atdheut për të votuar këtu në Shqipëri . Patjetër që ky proces nuk mund të realizohet pa mbështetjen e partnerëve të tretë e në këtë rast kemi eksperiencën e çmuar dhe të qeverisë së Kosovës që ka bërë hapa më parë dhe më përpara nesh në këtë drejtim. Krijimi i platformave të përbashkëta është një domosdoshmëri për të përfituar më mirë në funksion të rritjes së mëtejshme të mirëqënies së njerëzve tanë”, tha Rama.

Në këtë ceremoni u shpall dhe logoja zyrtare e vitit të Skënderbeut. “Shqiptarët e patën Skënderbeun një figurë që gjithnjë shënjoi ardhmërinë e tyre si komb. Ky vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut është një vit ardhmërie i fokusuar te konslodimi i institucioneve dhe bashkëveprimi me shqiptarët kudo që ndodhen, duke bërë më të mirën që përmes bashkëpunimit të ngushtë mes dy shteteve tona ne t’ia dalim së bashku që duke reflektuar mbi historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor, sigurisë reformave transformuese në një rrugëtim europian të diktuar që kur ky shtet u diktua në hartën e Europës pikërisht këtu në Vlorë 105-vjet më parë”, tha ai.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta u shpreh në fjalën e tij se viti 2018 do të jetë një reflektim mbarë kombëtar për memorien historike dhe identitetin tonë.

“Ky simbol shqiptar i përbashkimit ndikoj fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve. Gjergj Kastriot është bërë flamur në luftërat për liri. Ne jemi krenar për këtë hero tonin. Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemali na mbajnë të bashkuar. Viti 2018 do të jetë një reflektim mbarëkombëtar për memorien historike dhe identitetin tonë. Për të qenë së bashku në përballimin e sfidave. Ky vit do të na përbashkojë më fortë të gjithë, në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare dhe në të gjithë diasporën”, u shpreh Presidenti Meta.

Ndërsa Presidenti ti Kosovës, Hashim Thaçi tha se Dita e Flamurit është festa e krenarisë kombëtare, rimëkëmbja e ndërgjegjes sonë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit