“Raporti i KE-së konfirmon qasjen dinamike të Shqipërisë në rajon”

Mos i humb

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se nuk ka asnjë fushë në progres-raportin e Komisionit Europian (KE), ku Shqipëria të mos ketë shënuar progres dhe asnjë fushë ku të ketë kthim mbrapa.

Në fjalën e tij, Bushati, duke folur për mënyrën si e vlerëson Komisioni Europian Shqipërinë, tha: “Reforma në drejtësi vlerësohet me tone mjaft pozitive. Shqipëria sipas raportit të KE-së, një progres në dallim me 2016 ka bërë edhe përsa i përket lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Kjo fushë sipas komisionit vlerësohej pa progres në 2016, ndërkohë që në 2018 klasifikohet si një fushë me progres dhe kryesisht progresi lidhet qoftë me paketën e re në fushën e të drejtës së pakicave ashtu dhe sa i përket masave që janë ndërmarrë në kthimin dhe kompensimin e pronave”.

Lidhur me politikën e jashtme dhe rolin e Shqipërisë në rajon, Bushati tha se raporti konfirmon qasjen dinamike të Shqipërisë në rajon, linjëzimin 100 për qind me qëndrimin e Bashkimit Europian (BE), sikundër, sipas tij, hapat e rëndësishëm që janë hedhur sa i përket trajtimit të çështjeve ende të hapura me Greqinë.

“Ne kemi bërë dhe një analizë sa i përket krahasimit se ku e shohim Shqipërinë në raport me vendet e tjera të rajonit. Qoftë me vende si Mali i Zi dhe Serbia, që janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim ashtu edhe me vende si Maqedonia, për të cilën komisioni gjithashtu ka propozuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim si dhe me vende si Bosnja e Kosova, të cilat janë më mbrapa në këtë proces”, deklaroi Bushati.

Sipas Bushatit, bazuar në vlerësimin metodologjik të KE-së, për sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me demokracinë dhe sundimin e së drejtës, Shqipëria është nga vendet pararojë në këtë proces.

Sa i takon mbështetjes së vendeve anëtare për rekomandimin, Bushati tha se ka vende që e kanë shprehur hapur mbështetjen për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, por sipas tij ka dhe vende që kërkojnë më shumë informacion, kohë dhe bindje për të marrë një vendim në lidhje me Shqipërinë.

Duke folur për samitin e Sofjes, Bushati tha: “Për pak ditë do të jemi në Sofje, ku do të marrim pjesë në një samit, që do të ketë në fokus ndërlidhshmërinë dhe do të diskutohet edhe për 6 fushat ku do të ketë një bashkëpunim më të përfaqësuar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet anëtare të BE-së. Së dyti shpresohet që përmes këtyre projekteve të kemi një klimë politike më të përmirësuar rajonale. Do të jetë një samit që do të arrijë konkluzione politike të rëndësishme për këtë proces për shkak të instrumenteve që do të vendosë në dispozicion të vendeve tona”.

Kujtojmë se më 17 prill të këtij viti Komisioni Europian vendosi të rekomandojë për Shqipërinë hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE). /Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit