Raporti: pse ka ngecje të ekonomisë kosovare dhe një formulë zhvillimi

Mos i humb

Instituti që merret me analiza ekonomike, Riinvest, i mbështetur nga KFOS ka publikuar një raport, ku ka paraqitur ngecjet dhe shkaqet e moszhvillimit ekonomik në Kosovë si dhe ka dhënë disa rekomandime si të përmirësohet situata. Raporti është përgatitur në bazë të të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministrisë së Financave, Bankës Qendrore të Kosovës, raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore si dhe dis­kutimeve paraprake me ekspertë të pavarur dhe atyre që punojnë në institucione.

Sipas këtij raporti, situata ekonomike në Kosovë karakterizohet ende me shpërpjesëtimet makroekonomike të cilat reflektohen para së gjithash në pap­unësinë e lartë (27-30%) dhe në deficitin e lartë tregtar (30-35% të GDP-së).

“Rritja ekonomike ka vazhduar gjatë gjithë dekadës së fundit por nuk ka qenë e qëndrueshme dhe as afër nivelit të domosdoshëm karshi sfidave të zhvillimit të Kosovës. Ndonëse e përmirësuar nga 1.2% në vitin 2014 (2-3% në vitet paraprake) në rreth 4% në dy vjetët e fundit dhe në gjysmën e parë të këtij viti, ende nuk ka arritur nivelin që të adresojë suksesshëm e në mënyrë të qëndrueshme papunësinë dhe diferencat në zhvillim me pjesën tjetër të Evropës”, thuhet ndër të tjera në raport.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë dhe Kosova, pas kolapsit të ish-Jugosl­lavisë kanë ndjekur një model karakteristik të zhvillimit ekonomik, i bazuar kryesisht në integrimin në Bashkimin Evropian, ndi­kimet financiare dhe remitencat. Raporti thekson se ky model synon integrimin politik, tregtar, dhe financiar (të gjitha këto me kushtëzime të ndryshme varësisht nga shkalla e integrimit drejt BE-së). Ky orientim vazhdon të jetë në agjendën e Kosovës, por është duke hasur në vështirësi në rrugën e krijimit të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, që rrjedhimisht shtron rrugën për në BE.

Gjithashtu raporti i Riinivest thekson se ambienti i përgjithshëm politik dhe institucional duket që nuk po e përkrahë mjaftueshëm rritjen ekonomike. Pak përmirë­sime janë bërë në këtë aspekt (Balkan Busi­ness Barometer, 2017). Sipas këtij studimi, tatimet shihen si një barrë sepse nuk shihet që ato blejnë të mirat dhe shërbimet e nevo­jshme publike dhe me shumë janë një barrë e panevojshme për biznese.

“Një problem i madh në këtë aspekt vazhdon të jetë korrupsioni, që si duket është përkeqësuar më shumë sesa përmirësuar. Pasiguria dhe jostabiliteti politik duket të jenë pengesat kryesore për një per­formancë më të mirë ekonomike”, thuhet në raport.

Ja si të arrihet zhvillimi ekonomik

Sipas raportit në fjalë, veç asaj që u tha se Kosova duhet të ndrysho­jë vizionin ekonomik, në mënyrë që investimet të jenë rreth 30%-32% të BPV-së (bruto produktit vendor), dhe të til­la që së paku 2/3 e nivelit të investimeve të jenë nga sektori privat, jo nga ai publik. Nga sektori privat fokus të veçantë duhet t’i jepet investimit në industri dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar, investime në hulumtim dhe zhvillim, në industri prodhuese. Ndërsa sek­tori publik duhet të fokusohet në investime në kapitalin njerëzor, të tilla në sektorin e arsimit dhe të trajnimeve profesionale.

“Qeveria e Kosovës duhet të orientohet në politikat të cilat promovojnë fillimisht rritje ekonomike gjithëpërfshirëse duke u fokusuar më shumë në zhvil­limin e shkathtësive, krijimin e ven­deve të punës, participim gjithëpërf­shirës në tregun e punës, edukim, shëndetësi dhe mirëqenie. Në këtë drejtim emergjente është nevoja e përmirësimit të kualitetit në edukim, si një indikator shumë i rëndësishëm në rritjen e aftësisë konkurruese”, thuhet në njërin nga rekomandimet.

Gjithashtu raporti thotë se duhet të merren masa të integruara për të rritur vëllimin e investimeve vendore e të jashtme në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar. Duhet rritur kapacitetet e administratës publike për të forcuar sundimin e ligjit dhe uljen e korrup­sionit, krijimin e një ambienti lehtë­sues për biznes, si dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme publike për zhvillim ekonomik; dhe një orientim të qartë për rritje të ofertës vendase.

“Për rritje ekonomike të qëndrueshme: duke rritur shkallën e aftësisë konkur­ruese në sektorin privat, lidhjes përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe inkurajimit të një rritjeje ekono­mike të bazuar në energji efiçente. Për rritje ekonomike të integruar duke mbështetur tregtinë e lirë dhe poli­tikat e investimeve si dhe ‘lidhjeve’ jodiskriminuese mes ndërmarrësve vendorë dhe të huaj, kontakte trans­parente dhe të parashikueshme”, janë dy rekomandimet e radhës.

Rekomandimi tjetër ka të bëjë me një rritje ekonomike ‘të mençur’ duke stimuluar inovacionin dhe rritur af­tësinë konkurruese për produktet që gjenerojnë vlerë të shtuar më shumë sesa të produkteve që varen në kosto të punës.

“Investimet në infrastrukturën hekurudhore për të ulur kostot e transportit. Zbatimin e politikave tregtare që sigurojnë konkurrencë të barabartë, përmirësojnë pozitën e eksporteve në raport me barri­erat jotarifore dhe zbatimin konsekuent të masave të reciprocitetit”, thuhet në raportin e Riinvest.

Mbetet të shihet se a do të merret parasysh ky raport nga institucionet përkatëse, pasi që dihet se shpesh raporte të tilla nuk përfillen fare nga institucionet e Kosovës. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit