Rasti “Syri i Popullit”, Limaj tregon në seancë se kur e kuptoi se i rrezikohej jeta

Mos i humb

Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, në seancën e sotme për rastin e njohur si “Syri i Popullit” ka deklaruar se institucionet e sigurisë e kishin njoftuar atë për kërcënimet ndaj tij dhe për rrezikun që i kanosej atij.

Limaj, ka thënë se ai vazhdimisht kishte pasur situata të kërcënimeve, por që sipas tij, ai nuk i kishte marr si serioze. Ai ka thënë se në prill të vitit 2017, më pas, ka marr informatë nga institucionet e sigurisë, për rrezikun dhe kërcënimi që i kanoset atij, ku siç ka thënë ai, në mesin e këtyre institucioneve ka qenë edhe AKI-ja.

Këto institucione, ai ka thënë se i kishin shkuar në zyrë për ta informuar atë, e ku e kanë pyetur nëse kishte dëgjuar për ndonjë lëvizje, shkruan Betimi për Drejtësi.

“Mua më kanë informuar që ata kanë informacione të besueshme sipas tyre që flasin se ka kërcënime në drejtim timin dhe shkallë të rrezikshmërisë nga individ të ndryshëm, mirëpo pa i cekur me emra. Në vazhdimësi në një farë mënyre ata e kanë pasur si obligim që të masin shkallën e rrezikshmërisë, e në herën e dytë kur kanë ardh sipas tyre ka qenë situata alarmuese dhe AKI i ka sugjeruar organeve të policisë që të më ofrohet mbrojtje e afërt. Natyrisht unë kam pranuar rekomandimet e tyre”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se AKI-ja nuk kishte folur për organizatën dhe sipas tij, as ai nuk ishte interesuar për të pyetur se kush janë personat në këtë organizatë.

“Kur kemi parë rastin e Azem Vllasit që u bë publik aty u pa përmes mediave për këtë oranizatë. Pas kësaj kanë ardh njerëz të institucioneve tona dhe kanë konfirmuar që burim i kërcimeve tona ka qenë kjo. Më kanë thënë se kanë informacione se jeni target i kërcënimit fizik motivet nuk mi kanë përmend, por më kanë thënë se jam i rrezikuar për jetë”, ka thënë Limaj.

Ai ka shtuar se e njeh të akuzuarin Murat Jashari. “Unë me të njihemi nga Zvicrra në një njohje sipërfaqësore, e njohjen më të thellë e kemi pasur pas luftës. Edhe sot kur po dëshmoj shpesh vazhdoj të takoj familjen e Ismetit e Muratit pasi që kam respekt për ta”, ka thënë tutje Limaj.

Ai ka thënë se që nga viti 2010, nuk ka pasur kontakt me Murat Jasharin për arsye të ndryshme, ndërsa ka thënë se me familjen e tij vazhdimisht ka pasur kontakte.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hoxha, Limaj ka thënë se është në dijeni për letrat që i kishte shkruar Murat Jashari, ku disa prej pyetjeve në to i ishin adresuar edhe atij.

Ai ka thënë se beson se ato letra nuk janë përpiluar nga Murat Jashari. “Nuk e besoj të paktën për pyetjet që mi ka drejtuar mua”, ka thënë Limaj.

Kurse, ka thënë se nuk e njeh të akuzuarin Avni Llumnica, e as Ragip Sallovën.

“Sadri Ramabajën si figurë e njoh, e kam përcjell aktivitetin e tij si publicist dhe aktivitetin e tij politik pas luftës përmes shkrimeve, por kontakt personal nuk besoj që kam pasur ndonjëherë me të”, ka thënë Limaj.

Ai ka thënë se secilit i intereson e vërteta në këtë rast dhe se ai i beson sistemit të drejtësisë. “Neve na intereson të del e verteta dhe këtë e bën trupi gjykues dhe çfarë do vendimi që do të marrë ne do ta respektojmë, mua nuk më takon të marrë rolin e juaj”, ka thënë Limaj.

Ndryshe, në seancën e kaluar, që ishte mbajtur më 28 dhjetor të vitit 2018, dëshminë e tyre në këtë rast, e kishin dhënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, Adem Grabovci, Elmi Reçica, deputeti Faton Topalli dhe të tjerë.

Fillimisht dëshminë e tij, e kishte nisur me praninë e mediave dhe publikut, por më pas Presidenti Thaçi kishte kërkuar që për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së tij, të përjashtohen mediat dhe publiku, kur edhe gjykata e kishte aprovuar një kërkesë të tillë.

Në kohën sa seanca mbahej e hapur, Thaçi ka treguar disa arsye pse ai ka kërkuar që kjo seancë ku ai do të jetë dëshmitar të mos jetë e hapur.

Ai ka thënë se po të ishte seanca e mbyllur, do të fliste edhe për emra tjerë.

“Unë si president duhet të informohem për të gjitha gjërat, aq më shumë ato që kanë të bëjnë me rendin shtetëror. Për atë arsye unë kërkova që seanca të jetë e mbyllur pasi që nuk dua që të dalin sekrete shtetërore, sikur të ishte seanca e mbyllur do të përmendja disa raste të tjera. Unë jam intervistuar dhe gjithçka që është dasht për të thënë e kam thënë. Nëse do të ishte e mbyllur do të rëndohej situata për të akuzuarit, mua më vjen keq për gjërat që kanë ndodh. Unë e theksoj që është rrethanë lehtësues që seanca është publike se po të ishte e mbyllur do të ishte situatë rënduese, veçanërisht për të akuzuarin Sadri Ramabaja”, ka thënë Thaçi.

Kurse, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin e rastit “Syri i Popullit”, kishte deklaruar se të akuzuarit janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes.

“Marre të koftë, je shku me rumune për me vra bashkëluftëtarin e vëllait”, kishte thënë ndër të tjerash Veseli.

Ndryshe, ky rast po zhvillohet ndaj dhjetë të akuzuarve për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit