Reka: Serbia do të njohë Republikën e Kosovës brenda 2-3 vjetëve

Mos i humb

Hapja e kapitullit të 35 të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, do të bëjë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës brenda 2-3 viteve, ndryshe serbët nuk do të arrijnë cakun e tyre për integrim në BE.

Kështu ka thënë kandidati i parë shqiptar për president të Maqedonisë Veriore, Blerim Reka, i cili në Kosovë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm përgjatë viteve.

Reka thotë se Beogradi zyrtar duhet të debllokojë rrugën e Republikës të Kosovës në anëtarësimin në OKB, ku më pas të dy vendet, të barabarta me njëra-tjetrën, do të mund të lidhnin një marrëveshje historike që do të çonte në njohjen në mes dy shteteve.

Reka thotë se Qeveria e Kosovës do të ishte dashur të dëgjonte këshillën e mikes së saj, Amerikës për të pezulluar taksën 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë.

“Kaloj një shekull i armiqësive Beograd-Prishtinë. Konsideroj se Serbia do të duhet të del jashtë atij petku të Millosheviqit të viteve të 90-ta dhe të tejkalojë mentalitetin kolonialist ndaj Kosovës, ta pranojë faktin real dhe të mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ajo mund ta shtyjë edhe një kohë mosnjohjen e Republikës të Kosovës, por ajo do të detyrohet për 2-3 vite, jo për shkak të Kosovë, por do të detyrohet ta njeh Kosovën për shkak të negociatave ku do të hapet kapitulli 35 i BE-s, që kërkon në mënyrë ultimative nga Beogradi, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, Serbia nuk do të mund të arrijë në cakun që e ka projektu integrimin në BE”, ka thënë ai.

Ai ka adresuar kritika për pengesat që Serbia po i bënë Kosovës edhe në mënyra të tjera, teksa ka thënë se problemi shqiptaro-serb nuk zgjidhet me ndryshim të kufijve.

Sipas tij, tregtia me territore nuk do të ishte një alternativë e mirë, pasi që më parë duhet arritur marrëveshja historike ndërmjet dy vendeve, e tek atëherë të diskutohej për një gjë të tillë.

“Nuk besoj se do të mund të zgjidhej aq lehtë çështja e marrëdhënieve serbo-kosovare me ndryshim të kufijve, sepse në të dy anët ne kemi Kushtetuta, që janë akti më i lartë juridik, të cilat e kanë të garantuar paprekshmërinë e kufijve, përkatësisht ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial shtetëror. Nuk di se si do të mund të realizohej kjo ide, e cila siç dihet mund të bëhet vetëm me 2/3 e vetave të vendeve përkatëse, dhe nuk e di nëse kjo mund të kalonte në Kuvendin e Republikës të Kosovës”, u shpreh ai.

Për taksën 100 për qind, Reka thotë se fillimisht ishte vendim i një shteti sovran, e një qeverie që ka të drejtë të aplikojë taksa dhe tarifa doganore të reciprocitetit, bazuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Efekti i arritur me taksën, sipas tij, mund të maksimalizohet me avancime në procesin negociator.

“Kjo (taksa) arriti ndikimin e vet dhe i tregoi jo vetëm Serbisë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare se ekziston një shtet, i cili përkundër kooperimit me faktorin ndërkombëtar, do të veprojë si shtet sovran sa herë që shteti fqinj e cenon sovranitetin e tij, por në momentin kur ShBA kërkonte nga Qeveria e Kosovës, jo ta tërheq taksën, por ta pezullon taksën, ajo mendoj se i jepte pak shans në fuqizimin e pozitës negociatore të Republikës të Kosovës në raport me Beogradin, sepse kur t’i thua se e pezullon taksën, t’i fiton përparësi negociuese në tavolinën negociatore dhe atëherë t’i kërkon: ‘nëse doni që unë të mos e rikthej taksën, kërkojë nga Beogradi, këtë, këtë, këtë’. Unë mendoj që do të duhej të shfrytëzohej kjo këshillë miqësore amerikane për ta fuqizuar, jo vetëm në raport me Serbinë, por për t’i dhënë Kosovës një imazh më koperativ ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Ndryshe, duke folur për rolin e shqiptarëve, Reka ka thënë se populli shqiptar është faktori më kredibil perëndimor në Ballkan.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit