Restaurimi i xhamisë Et’hem beut dhe shqetësimi i besimtarëve

Mos i humb

Nga: Roald A. HYSA

Xhamia e Et’hem beut prej 9 javësh e gjysëm e mbyllur për restaurime të brendshme e të jashtme është kthyer në një shqetësim për të gjithë besimtarët që falen rregullisht apo jo në këtë faltore ikonë e kryeqytetit shqiptar. Më 23 shkurt u fal xhumaja dhe xhamia u mbyll për të gjithë frekuentuesit e saj, të huaj apo xhemat që falet aty rregullisht. Qysh në momentet e para kur besimtarët morën lajmin shprehën mosbesim ndaj afateve kohore të restaurimit dhe problemeve që mund të pasonin nga mosfrekuentimi i gjatë i xhamisë. 67 ditë e mbyllur është një shifër shqetësuese për të gjithë ne si besimtarë të thjeshtë. Transparenca e bërë nuk i çliroi njerëzit nga dyshimet dhe mosnisja e punimeve restauruese është një fakt që flet shumë.

Besimtarët e kësaj xhamie po falen nëpër xhami të tjera, të cilat janë më larg dhe normalisht që përveç shqetësimit të mësipërm ju shtohet edhe largësia më e madhe. Ndërkohë që xhamitë e ndërtuara nëpër pazare e lagjet e Tiranës janë ndërtuar edhe me qëllimin që t’i shërbejnë komunitetit rrotull tyre, për të mos humbur kohë dhe ta kenë sa më pranë faltoren.

Një kërkesë tjetër e bërë publikisht nga disa xhematlinj ka qenë edhe ajo e thirrjes së ezanit në xhaminë e Et’hem beut pavarësisht nëse falet namazi apo jo? Fatkeqësisht kjo kërkesë deri tashti ka rënë në vesh të shurdhër. Thjesht xhamia është mbyllur dhe vazhdon të sjelli shqetësim, se kur do të fillojnë punimet dhe kur do të mbarojnë ato? Gjithsesi këto punime nuk i ndalojnë udhëheqësit e KMSH-së ta falin të paktën xhumanë aty, apo të venë një nga personeli i xhamisë të thërritet ezani, meqenëse janë edhe administratorët zyrtarë të faltoreve tona dhe këtë gjë vazhdimisht na e venë në dukje. Administrimi nuk është privilegj, por është përgjegjësi…

Ne jemi në pritje, dhe mezi e presim mbarimin e punimeve dhe shpresojmë shumë që të jenë hoxhallarët tonë ata që do të presin shiritin e mbarimit të punimeve dhe jo politikanët e korruptuar, që mbushin ekranet e kanaleve televizive me arritjet dhe punën e të tjerëve./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit