Rexhepi: Nuk ka kompromis për restaurimin e Xhamisë së Ali Pashës në Ohër

Mos i humb

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, ka hedhur poshtë akuzat e shoqatës qytetare “Sovest”, duke deklaruar se restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër është duke u realizuar në përputhshmëri të plotë ligjore dhe sipas një projekti të përgatitur në mënyrë profesionale për të cilin janë marrë të gjitha miratimet e nevojshme më parë.

Restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë (Vakiflar Genel Mudurluglu). Xhamia, e cila gjendet në hyrje të Çarshisë së Ohrit, sipas paralajmërimeve nga Myftinia e Ohrit, do të marrë pamjen dhe shkëlqimin e dikurshëm, njëlloj siç ka qenë kur është ndërtuar pesë shekuj më parë.

Më herët këtë javë, qytetarë të Ohrit të organizuar dhe mbështetur nga shoqata qytetare “Sovest”, reaguan ndaj mënyrës se si po kryhet restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Çarshinë e Ohrit, si dhe aktivitetet ndërtimore përreth objektit, për të cilat ata pretendojnë se janë duke u realizuar pa lejen e duhur nga institucionet kompetente.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), Sulejman RexhepiKreu i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi

Kreu i BFI-së në një prononcim njofton se institucioni që drejton ai, para se të fillojnë të ndërhyjnë apo riparojnë ndonjë monument kulturor dhe historik gjithmonë janë konsultuar me organet kompetente pranë Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut të Ohrit.

“Bashkësia Fetare Islame nuk bën kompromis për objektet fetare, për xhamitë. Prandaj, ne nuk jemi të gatshëm të bëjmë asnjë lloj kompromisi atje, sepse unë jam një ndër nënshkruesit e projektit me përfaqësuesit e Drejtorisë turke të Vakëfeve dhe unë e di se të gjitha i kemi pasur të siguruara, pastaj ka filluar puna”, shprehet Rexhepi për AA.

Duke iu referuar pretendimeve në lidhje me minaren e xhamisë për të cilën thuhet se xhamia nuk ka pasur minare dhe nuk duhet të ndërtohet një e tillë, Rexhepi tha se: “Si duket dikujt, ajo nuk është një vështrim serioz dhe i argumentuar, por ju pengon minarja. Ne nuk themi se tani ka pasur minare, por Xhamia e Ali Pashës nuk është ndërtuar tani, ka historikun e vet. Xhamia ka qenë me minare dhe pikërisht atë lartësi që e ka pasur duhet t’i kthehet”.

Më tej Rexhepi tha se, “Ne nuk jemi palë që sendet që mund të trajtohen dhe mund të kenë vend kompromisi, nuk jemi ato njerëz që nuk e njohin kompromisin si metodë, por këtu në këtë rast te Xhamia e Ali Pashës nuk ka kompromis”. Ai apeloi deri te Qeveria e Maqedonisë që të ndërhyjë për këto pretendime duke i orientuar qytetarët e Ohrit dhe duke i qetësuar ato.

Buntasheska: Ndërtimi realizohet me leje konservatore në përputhje të ligjit

Ish-drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Ohër, Tanja Paskali Buntasheska, përmes një deklarate me shkrim po ashtu hodhi poshtë akuzat e shoqatës qytetare “Sovest”, duke theksuar se punimet janë duke u realizuar me të gjitha lejet e nevojshme.

Ish-drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Ohër, Tanja Paskali BuntasheskaIsh-drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Ohër, Tanja Paskali Buntasheska

Ajo tha se për shkak të mospërputhshmërisë së Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, ishte e pamundur që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të lëshojë leje për ndërtim, kështu që siç thekson ajo, projekti realizohet me leje konservatore.

Buntasheska theksoi se leja konservatore për ndërtim është lëshuar në bazë të Ligjit për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Ajo bëri të ditur se është përgatitur dokumentacioni përkatës i projektit që është konstatuar më 6 qershor të këtij viti gjatë inspektimit të Zyrës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore – Shup.

Në bazë të Planit për rivlerësim nga 18 shkurti i vitit 2014, i përgatitur nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore dhe Muzeut – Ohër, Xhamia e Ali Pashës në Ohër u shpall trashëgimi kulturore e rëndësishme me një regjim të përshtatshëm të mbrojtjes dhe është regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Leja konservatore për restaurimin e xhamisë së Ali Pashës në Ohër u lëshua në qershor të vitit 2016 nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, me kërkesë të mbajtësit, Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë – Myftinia e Ohrit, pasi u konstatua se janë plotësuar kushtet e parashikuara në nenin 87 të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Historia e Xhamisë së Ali Pashës

Në muajin maj të këtij viti, atë kohë drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut – Ohër, Buntasheska në një prononcim për AA shpjegoi se sipas disa të dhënave historike dhe sipas karakteristikave arkitektonike, xhamia është ndërtuar në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.

Siç tha ajo, në kuadër të xhamisë në vitin 1823 është ndërtuar edhe medrese, e cila sot nuk ekziston. Paskali tha se minarja e xhamisë ishte rrënuar në mes të vitit 1912 dhe 1918 dhe asnjëherë deri më sot nuk është rinovuar.

Mbetjet e minares gjenden në anën jugore të xhamisë dhe sot e kësaj dite ka mbetje të piedestalit të minares në lartësi prej 6.5 metrash. Sipas tregimeve të banorëve të vjetër, minarja me lartësinë dhe elegancën e saj ka dominuar në çarshinë e Ohrit. Ajo është ndërtuar me tulla.

“Në ‘udhëpërshkrimin’ e tij, Evlia Çelebiu ka thënë se në Ohër ka ekzistuar xhami me dy minare dhe ndoshta kjo ka qenë ajo xhami. Mbase minarja tjetër ka qenë vetëm themel mbi të cilin asnjëherë nuk është ndërtuar minarja, dhe për këtë arsye nuk shihet në fotografitë e vjetra”, theksoi Paskali./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit